Heqja dorë nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë nuk është një precedent i panjohur për politikën shqiptare. Ndonëse nuk ka pasur lënie kolektive të mandatit para KQZ-së, në mënyrë individuale kjo ka ndodhur shumë herë në gjithë këto vite tranzicion. Rastet më të fundit janë ato të deputetëve, Eduard Halimi nga Partia Demokratike dhe Sajmir Tahiri nga Partia Socialiste.
Në të dyja rastet ata paraqitën një kërkesë në Kuvend ku shprehnin vullnetin për të lënë mandatin dhe ky i fundi këtë vullnet ia përcolli më pas KQZ-së, i cila bëri dhe zëvendësimin e tyre me kandidatë nga lista pasuese. Por çfarë parashikon legjislacioni ynë lidhur me këtë rast? Neni 71, pika 2, germa “b” e Kushtetutës parashikon se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit, ndërmjet të cilave edhe “kur heq dorë nga mandati”.
Detaje të mëtejshme në lidhje me këtë situatë janë parashikuar nga neni 164 i Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se “Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati.
Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”. Por gjithsesi ky nen i Kodit Zgjedhor është pak i paqartë pasi ndërmjet të tjerave përcakton se “Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”.
Gjithsesi nisur nga rastet e mëparshme të përmendura më lartë kjo paqartësi është zgjidhur dhe çdo deputet në mënyrë individuale mund të heq dorë nga mandati. Por krahas kësaj Kushtetuta dhe Kodi përcakton edhe një rrugë tjetër, atë të mungesës për 6 muaj në Kuvend. Por kjo do ishte një rrugë më e gjatë dhe do t’i jepte efektet më vonë, ndërkohë që opozitës i duhet një rrugë që të krijojë premisat për një zgjidhje sa më të shpejtë.
E.Xh./