Shtëpia e Bardhë mbrojti të dielën shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare nga ana e Presidentit Donald Trump për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës për të frenuar imigracionin e paligjshëm, megjithëse ai tha se nuk kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë.
“Ai mund të kishte vendosur ta injoronte këtë krizë por zgjodhi to mos ta bënte një gjë të tillë”, tha të dielën këshilltari i zotit Trump, Stephen Miller, që ka pikëpamje të ashpra për imigracionin, në një itervistë për Fox News.
Zoti Miller sulmoi ish-presidentin republikan, George W. Bush duke thënë se kishte kryer “një tradhëti shtangëse” të Shteteve të Bashkuara, afro dy dekada të shkuara kur hynin në Shtetet e Bashkuara katër herë më shumë imigrantë të paligjshëm se sa sot. Por ai tha se në fund të fundit “nuk mund të konceptohet një vend i fortë pa një kufi të sigurt”.
Ai tha se veprimi i zotit Trump po “mbron kufijtë tona” dhe e quajti imigracionin e paligjshëm “një kërcënim për vendin tonë”.
Miller tha se veprimet e zotit Trump janë të justifikuara në bazë të një ligji të vitit 1976, që u jep presidentëve autoritetin që të shpallin emergjenca kombëtare, megjithëse nga 59 rastet e shpallura që atëherë, asnjë nuk përfshin përpjekje të presidentit për të dalë mbi Kongresin për të miratuar fonde për një propozim konkret.
Presidenti Trump e shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare të premten për të anashkaluar Kongresin, që kishte refuzuar kërkesën e tij për 5.7 miliardë dollarë fonde për murin, megjithëse miratoi 1.375 miliardë dollarë për barriera përgjatë 90 kilometrash nga kufiri prej 3,200 kilometrash.
Zoti Trump ka në plan të përdorë mbi 8 miliardë dollarë fonde qeveritare që janë të akorduara për projekte të tjera, për të ndërtuar murin megjithëse kanë filluar ndërkohë të depozitohen padi për të sfiduar veprimin e tij dhe për të bllokuar transferimin e parave.VOA/
E.Xh./