Militantët e kapur pas disfatës së Shtetit Islamik në Siri e Irak mund të shndërrohen në një front të ri tensionesh mes aleatëve perëndimorë.
Përmes Twitterit, Presidenti Trump paralajmëron se do të lirojë rreth 800 xhihadistë të kapur nga ushtarët amerikanë në territoret e kalifatit, nëse qeveritë e vendeve europiane nga ata që kanë ardhur nuk pranojnë t’i marrin dhe t’i nxjerrin para drejtësisë. Thirrja i drejtohet Gjermanisë, Francës e Britanisë së Madhe e shteteve të tjera europiane.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan të shohin si këta luftëtarë përhapen nëpër Europë, ku presin që të shkojnë. Ne bëjmë kaq shumë dhe shpenzojmë kaq shumë. Koha për të tjerët të bëjnë punët e tyre. Ne po tërhiqemi pas fitores 100% ndaj Kalifatit”.
Rasti tipik është ai i 18-vjeçares me shtetësi britanike Shamima Begum, e cila kërkon të kthehet në Britani nga Siria, ku udhëtoi në vitin 2015. Udhëtimi i saj bashkë me dy bashkëmoshatare të tjera përmes rrugëve të jashtëligjshme bëri bujë në atë kohë. Ajo thoshte se i ishte përgjigjur thirrjes së xhihadistëve për gjenerimin e një brezi të ri fëmijësh në trojet e kalifatit.
Autoritetet britanike nuk i kanë kthyer përgjigje familjarëve të saj. Nuk përjashtohet mundësia që ajo të ndiqet penalisht nëse shkel në territorin britanik.
/a.rada