Komedia “8 Femra” shkruar nga Robert Thomas vjen për publikun në skenën e qytetit të Korçës. Me regji nga Driada Dervishi, kjo shfaqje pas skenës së teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë do të jetë edhe te “arTurbina” në Tiranë.
Vepra teatrore që ka në role aktore të njohura nga Tirana, por dhe të teatrit të Korçës mbrëmjet e datave 20 dhe 21 shkurt do të jetë në skenë për publikun korçar.
Me këtë komedi, vepër e një autorit të njohur, regjisorja Driada Dervishi nis dhe turin në skena të teatrove këtë sezon artistik. Rolet në këtë komedi, regjisorja Dervishi ia ka besuar aktoreve Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli, Klodiana Keco, Paola Kodra, Blerta Belliu dhe Ilda Pepi, që do të jetësojnë personazhet në skenë.
Fabula e shfaqjes në veprën e autorit Robert Thomas vërtitet rreth një familje me tetë gra të mbledhura bashkë për festat e fundvitit. Të izoluara nga dëbora zbulojnë se mashkulli i vetëm i shtëpisë është vrarë me një thikë mbas shpine. Të zëna në kurth asnjëra prej tyre nuk del dot nga shtëpia, e të gjitha kthehen në të dyshuara.
“8 Femra” vjen si komedia misterioze me nota muzikali. Kjo shfaqje është një dedikim ndaj figurës femërore në skenë dhe si një homazh për të gjitha rolet e femrave, që në fillime janë luajtur nga meshkujt. Një komedi, ku gërshetohet trilleri dhe muzikali, sepse të gjitha aktorët kanë dhe këngë. Në këtë shfaqje nuk mungon dhe muzika live.
/a.rada