Godina ku është vendosur sot administrata e Bashkisë Vlorë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga M.T.K.R.S, me vendim nr. 654, datë. 09.11.2006.
Ajo është ndërtuar në vitin 1918.
Përshkrimi: Godina e Bashkisë Vlorë, spikat me prezencën e saj në një ndër pikat më dominuese të Qendrës Historike të Vlorës. Në planin rregullues të Vlorës të hartuar nga urbanist dhe arkitekt italian të fillim shek. XX, ajo zinte një vend të veçantë. Për shkak të rëndësisë së veçantë inxhinieri italian Luiggi Beretti përpara godinës kishte projektuar një shesh monumental. Godina trekatëshe është ndërtuar në vitin 1918.
Fillimisht ka shërbyer si godina e Konsullatës Italiane, deri në Luftën e Dytë Botërore. Pas vitit 1944, në këtë godinë ka ushtruar funksionet pushteti vendor.
Për arrsye se, që në fillimet e saj është ideuar si një godinë me funksion të rëndësishëm publik, fasadës së saj i është kushtuar një vëmendje e veçantë. Ajo është dekoruar me skulptura dhe element arkitektonik.
Dritaret janë të gjitha të zbukuruara me element arkitektonik dhe në fasada gjejmë një ndërthurje të elementëve linearë me ato të harkuar. Elementët plastik dhe skulptura nuk mungojnë as në ambientet e brendshme të saj. Godina i është nënshtruar ndërhyrjeve të ndryshme restauruese ndër vite, ku ndërhyrja më e fundit ishte ajo e vitit 2017.
Bibliografia: V. Loli., Qyteti i Vlorës dhe ndërtuesit e tij, Botimet Toena, Tiranë 2005.
Funksioni: Ndërtesë me karakter administrativ, monument kulture. (TemA)