Nga Alfred Peza/
Ka një qasje shumë interesante mes Shën Valentinit, ose asaj që njihet si festa e të dashuruave dhe raporteve të lidershipit të lartë të opozitës sonë, me ato të mazhorancës. Kjo qasje për festimet e shprehjes së dashurisë mes njerëzve të thjeshtë në kuadër të 14 shkurtit, ngjan si dy pika parfumi, me qasjen e liderëve politikë për ti shprehur dashurinë njëri- tjetrit.
Ka një kod të fshehtë për ti zbërthyer këto masazhe dashurie në sferën e epërme të jetës politike në përgjithësi dhe në atë shqiptare në veçanti. Një gjuhë shenjash e simbolesh, e mbushur me mesazhe enigmatike, të ngjashme me ato tek “Kodi i Da Vinçit” të Dan Brownit. Eshtë një gjuhë universale e elitave, me anë të një alfabeti, gërmat e të cilave nuk mësohen një asnjë shkollë tjetër, përpos asaj të jetës dhe përvojës.
Nëpërmjet tyre, jepen dhe meren, përcillen mesazhe dhe deklarata në distancë, me fjalë, xheste, veprime, mosveprime dhe vendime. Eshtë një univers tjetër, që gati e bën të padukshme botën që shohim të gjithë, ndërkohë që ata komunikojnë publikisht e pa ndërprerje me njëri- tjetrin në mënyrë të pakuptueshme nga masa. Për të gjithë të pasionuarit pas kinemasë, është pak a shumë e ngjashme me kodet sekrete të zbërthyera në jetë nga John Nash e të sjella në ekran nga Russell Crowe në filmin “A beautiful mind”.
Rrallë ndodh që këto mesazhe “në shishe”, të mbërrijnë ndonjëherë në duart e njerëzve të thjeshtë, nga ku të kuptojnë misterin e parezistueshëm të kësaj dashurie të pakuptueshme. Një letër e tillë dashurie me rastin e Shën Valentinit të radhës nga ana e lidershipit politik shqiptar, ka mbërritur pikërisht sot, një ditë përpara 14 shkurtit, për tu lexuar për herë të parë publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të gjithë ata që interesohen për çështjet e studimeve të shkencave të komunikimit publik, mund ta mbajnë shënim këtë, se mbase do u duhet që ta citojnë diku ndonjë ditë.
Ndërsa po zhvillonte një takim me qytetarët në Lezhë, në kuadër të një cikli të ri kombëtar që ka nisur nën moton “Bashkia që duam”, Edi Rama “pa dashje” na zbuloi se protesta që po thërret Lulzim Basha për rrëzimin e tij, nuk është serioze, por thjesht një mesazh dashurie. Sipas kryeministrit, udhëheqësi i Partisë Demokratike në opozitë po i kërkon atij diçka në distancë, të cilën nuk ka kurajo që t’ia thotë hapur publikisht ose privatisht.
Rama e zbërtheu kështu kodin e fshehtë të mesazhit të Bashës për 16 shkurtin: “Prapë do ta takoj, (siç bënë më 2017, para zgjedhjeve parlamentare, por…) sa të bëjë një çik sikur nuk do. Atë “sikur” s’do, ai e ka me protesta, me çadra, revolucione, me përmbysje. Shkon nëpër Shqipëri dhe mbledh Franin me shoqërinë e tokave dhe thotë “hajdeni ta rrëzojmë”.
Pra në këtë rast, Kryeministri na zbulon se fjala kyçe që e zbërthen Kodin e Lulzim Bashës, është parrulla e tij e thënë papushim publikisht: “Ta rrëzojmë”. Por çfarë duhet të kuptojmë me këtë kod. Shpjegimin na e jep Edi Rama kur thotë: “Ta rrëzojmë” është mesazh dashurie. Por (Basha) nuk ka kurajo që ta thotë hapur ku e ka hallin. Nuk është puna tek ai, se ai është artist. Por unë habitem me këta që vazhdojnë dhe kujtojnë se ai e ka seriozisht. Ai seriozisht ka vetëm atë që nuk thotë”, u shpreh Kryeministri.
Kaq mjafton si fillim, për të kuptuar se çfarë fshihet pas kodeve, shenjave, mesazheve, fjalëkyçeve dhe mistereve që në këtë rast, lideri i opozitës i drejton shefit të mazhorancës shqiptare, këto ditë kur qytetarët e thjeshtë për shkak edhe të protestës së të shtunës, mund të kenë patur dilema, nëse duhet apo jo që ta festojnë Shën Valentinin. Përserisa liderët politikë e kanë shumë të qartë se dhurata për Shën Valentinin e tyre më 16 shkurt është pushteti, përse shqiptarët e thjeshtë të mos i dhurojnë njëri tjetrit dashuri pafund këtë të enjte?!