Nga Mero Baze
Lulzim Basha u ka bërë thirrje protestuesve të 16 shkurtit të kalojnë pas turmës së policisë që ruan Kryeministrinë, për të hyrë në zyrat e Edi Ramës. Në çdo rrethanë tjetër, një deklaratë e tillë do ishte e rrezikshme, e papërgjegjshme dhe turbulluese për opinionin, por në rastin e Lulzim Bashës, është thjesht e mërzitëshme.
Nuk e kam fjalën për rregulloren e Bulevardit, rregulloren e oborrit, rregulloren e ndërtesës dhe të tjera alibi, që ka përdorur Sali Berisha kur vrau katër qytetarë në një protestë politike 8 vjet më parë.
Është fjala për më shumë se kaq, për futje brenda Kryeministrisë, pushtim të ambienteve të saj dhe marrje peng të ndërtesave qeveritare, sipas asaj që pretendon Lulzim Basha në deklaratat e sotme.
Por për çudi, askujt nuk i lëviz asnjë muskul, as atyre që mund të ndjeheshin të rrezikuar, dhe as atyre që mund të ndjeheshin të stimuluar.
Krye-arsyeja është se protestat e sforcuara të opozitës, janë një film i parë dhjetëra herë dhe nuk prodhojnë asgjë, përveçse gjimnastikës opozitare dhe ndonjë pazari për Lulzim Bashën.
Skenari më i dhunshëm që opozita ka përgatitur, është të hyj në zyrat e KOD në katin e parë të Kryeministrisë dhe të përpiqet të mbajë aty të ngujuar dhjetëra vetë, derisa policia t’i nxjerrë me forcë jashtë.
Të njëjtin skenar duan ta shtrijnë dhe në dy- tre ministri të tjera.
Skenari më i butë është që të ushtrojnë dhunë duke qëlluar me gurë dhe sende të forta godinën, dhe pastaj të ikin, për t’ia lënë fjalën Berishës, që ta shpallë mitingun më të madh në histori dhe Edi Ramën të rrëzuar.
Por fuqia e një proteste nuk qëndron tek dhuna. Tek dhuna qëndron dobësia e saj.
Fuqia e një proteste qëndron tek vërtetësia e saj. Kur ajo ndjehet që është e vërtetë dhe që buron në mënyrë spontane nga qytetarët, ajo e rrëzon qeverinë, siç rrëzon një puhizë e lehtë gjethen e tharë në një pemë, pa pasur nevojë për stuhi.
Protesta e studentëve në dhjetor fjala vjen, nisi si një protestë e vërtetë, një protestë që të mbushte mendjen që ata njerëz i kishte nxjerrë në rrugë një problem I madh. Dhe ishte vërtet për t’u trembur nëse ishe në pushtet dhe për ta pasur zili, nëse ishe në opozitë.
Fuqia e saj ra, kur ajo filloi të degradonte në dhunë, kur u përça nga interesat opozitare, derisa më në fund përfundoi si protestë pedagogësh, ata që u trembën realisht njësoj si qeveria, nga nisja e protestës.
Protesta e opozitës ka pikërisht këtë problem. Sado zhurmë të bëhet, sado kërcënime apo paralajmërime kineze si ato të djalit të Fahriut të bëhen, ato të mbushin më shumë mendjen që protesta s’ka fuqi. Aty ku ka fuqi nuk ka fjalë, nuk ka kërcënime.
Mjaftuan mijëra studentë në rrugë, të qetë, të gëzuar, të mençur dhe të vërtetë, që e bënë qeverinë të përgjysmohej.
Aty ku nuk ka fuqi, ka zhurmë si kjo e Lulzim Bashës, zhurmë që nuk ja merr askush seriozisht. Si dielli i shkurtit, që fort shndrin e pak ngroh.