Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë një deklarate për mediat ka bërë thirrje të mos bllokohen rrugët ditën e protestës së lajmëruar nga opozita.
Ai u shpreh se, bllokimi i akseve rrugore nuk do pengojë qytetarë të bashkohen me opozitën.
“Teknikisht, nuk ka asnjë motiv për bllokimin e autostradës dhe rrugëve të tjera kombëtare. Teknikisht, nëse do të ishte vërtet e nevojshme dhe jo një vendim në kushtet e panikut, qytetarët duhet të ishin lajmëruar disa ditë më parë, siç është vepruar në raste të tjera”, tha deputeti Bardhi.
“Po paralajmërojmë që tani çdo kompani ndërtimi që të mos nxjerrin në rrugë asnjë makineri dhe të mos bëjnë asnjë veprim që cenon lëvizjen e lirë të protestuesve drejt Tiranës! Përndryshe fati i tyre është i njohur! Qytetarët do t’i heqin pengesat me mënyrat e tyre, njësoj siç bënë banorët e Unazës së Re! Shqiptarët do të jenë në Tiranë të shtunën! 16 shkurti është protesta që do t’i japë fund një pushteti të blerë me votat e krimit, një qeverie të kapur në vjedhjen e zgjedhjeve dhe në vjedhjen e qytetarëve të saj”, theksoi deputeti i PD-së, Gazment Bardhi.
/a.rada