Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi të martën se aleanca ushtarake do t’i përgjigjet “shtimit të raketave ruse”, por nuk do të instalojë raketa të tjera bërthamore në Evropë.
Komentet vijnë pas shfuqizimit të traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, një pakt i rëndësishëm armësh i periudhës së Luftës së Ftohtë.
Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë t’i rikthehet traktatit dhe të respektojë kushtet e tij. NATO-ja këmbëngul se Rusia e ka shkelur paktin, duke zhvilluar një sistem të ri raketash që Moska e quan “Novator 9M729”.
Më 2 shkurt, Shtetet e Bashkuara filluan procesin gjashtëmujor të tërheqjes nga traktati, duke thënë se sistemi raketor i Rusisë shkel kushtet e tij. SHBA beson se sistemi i ri rus i raketave mund t’i hapë rrugën Moskës të nisë një sulm bërthamor në Evropë me pak ose aspak paralajmërim.
Traktati INF, i cili i jepte fund vendosjes së mbushjeve bërthamore në Evropë, ndalon prodhimin dhe instalimin e raketave kruz dhe raketave balistike me rreze nga 500 në 5,500 kilometra. Rusia pretendon se raketa e saj kruz me lëshim nga toka, ka një rreze prej më pak se 500 kilometrash dhe se edhe raketat apo dronët amerikanë që përdoren për qëllime stërvitore shkelin marrëveshjen.
Presidenti rus Vladimir Putin iu përgjigj tërheqjes së SHBA nga traktati duke njoftuar se edhe Rusia do të largohej. Gjithashtu, ministri rus i mbrojtjes njoftoi plane për raketa të reja, duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit Donald Trump se SHBA do t’ia kalojnë Rusisë për nga shpenzimet në këtë fushë.
Zoti Stoltenberg tha se ministrat do të takohen në Bruksel të mërkurën për të diskutuar “mbi hapat që duhet të ndërmarrë NATO-ja për t’iu përshtatur një bote me më shumë raketa ruse”. Zoti Stoltenberg shtoi: “Ne nuk ka pse të imitojmë atë që bën Rusia, por duhet të sigurohemi që të kemi masa parandaluese dhe mbrojtje efektive”.
Ndërsa Uashingtoni dhe Moska kanë mosmarrëveshje për traktatin INF, ky pakt nuk përmban asnjë klauzolë për të frenuar Kinën, ushtria e së cilës, që është në rritje të shpejtë, varet nga raketat me rreze të mesme veprimi si aspekt kyç i strategjisë së saj të mbrojtjes.