Pas Histori-Filologjisë, i cili nga sot hap dyert për mësim, pas dy muajsh bojkot të auditorëve, edhe Fakulteti Juridik është drejt lirimit. Studentët e drejtësisë, që kanë zaptuar godinën, janë gati ta lirojnë atë me disa kushte, të cilat ia kanë adresuar dekanit Artan Hoxha përmes një letër-kërkese. Plotësimi i tyre, shumica e të cilave janë ndihmesë e studentëve për vijimësinë e mësimit pa penalizime, do të mbajë peng edhe për një kohë relativisht të shkurtër auditorët e drejtësisë, të uzurpuara prej datës 7 janar. Kështu, Juridiku është e vetmja godinë që vazhdon të jetë e bllokuar.
KËRKESAT
Studentët e drejtësisë e kanë ngushtuar kauzën e tyre. Ndryshe nga asambletë e pedagogëve, të rinjtë nuk kërkojnë rrëzimin e Ligjit për Arsimin e lartë, por vetëm një nen, i cili ka të bëjë me programet e studimit në fushën e drejtësisë e specifikisht futjen e provimit të shtetit për të gjithë juristët. Kësisoj, ligji parashikon drejtësinë si profesion i rregulluar me ligj, ngjashëm me mësuesit e mjekët.
“Personat që kanë kryer studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barasvlershëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi.
Provimi i shtetit organizohet nga Ministria përgjegjëse për Arsimin dhe Ministria e Drejtësisë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në legjislacionin në fuqi”, citohet në pikat 2 e 3 të nenit përkatës, pas pikës që e kthen Drejtësinë si program të integruar 5- vjeçar dhe që ka nisur të aplikohet prej dy vitesh. Në letrën drejtuar dekanit, studentët i kërkojnë atij të adresojë në institucionet përkatëse shfuqizimin e këtij neni.
Kjo është pika më e vështirë për t’u arritur, pasi nuk është në kompetencën e dekanatit, pas të tjerave që kërkojnë të shtyhet sezoni i provimeve, të afatit për dorëzimin e dokumentacionit për përfitimin e bursave dhe përgjysmim të tarifave, zëvendësimin e orëve të humbura për shkak të protestës dhe mospenalizimim me mungesa. Një tjetër kërkesë lidhur me aspektin mësimor ka të bëjë me ofrimin e praktikave në gjykata, burgje a Parlament si dhe organizimin e gjyqeve simuluese. Me pak fjalë, studentët shprehin vullnetin që gjithçka të kthehet në normalitet.
Mësohet se shkresa i është nisur zyrtarisht dekanit Hoxha. Edhe përgjigja kërkohet në të njëjtën rrugë, por brenda së martës. “Afati për kthimin e përgjigjes: 12/ 02/2019. Sqarim: Plotësimi i kërkesave sjell lirimin e ambienteve të Fakultetit të Drejtësisë”, shkruhet në fund të letrës nisur dekanit.
/a.meta