Gjykata Supreme e Venezuelës, tha se vendimi i kreut të Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido për të shpallur veten për president të vendit është i pavlefshëm, raporton Anadolu Agency.
Në një kumtesë, gjykatësi Juan Mendoza, tha se qeveria e përkohshme e Guaidos është në kundërshtim me kushtetutën e vendit pasi uzurpon kompetencat e presidentit.
Gjykata tashmë ka shqiptuar një ndalesë për Guaidon me të cilën ai nuk mund të lëshojë vendin, ndërkohë që ka ngrirë edhe llogaritë e tij bankare.
Venezuela u trondit nga protestat që filluan më 10 janar, kur presidenti Nicolas Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.
Tensionet u rritën më tej kur Juan Guaido shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar.
Midis vendeve që kanë njohur Guaidon janë: SHBA, Spanja, Britania e Madhe, Gjermania, Austria Brazili, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panama, Paraguaji, dhe së fundmi në të njëjtin drejtim është shprehur edhe Parlamenti Evropian (PE).
Ndërsa vendet si Bolivia, Meksika, Rusia, Kina, Irani, Kuba dhe Turqia kanë përsëritur mbështetjen e tyre për qeverinë e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili pas këtyre zhvillimeve kishte njoftuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në, por duke bërë të ditur se do të vazhdojnë marrëdhëniet tregtare. (Tema)