Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se nuk ekziston ndonjë bazë që një komision i fuqishëm i Kongresit të hetojë financat e tij personale.
“Asnjë politikan tjetër nuk duhet të kalojë nëpër një proces të tillë. Quhet ngacmim presidencial. Dhe kjo është për të ardhur keq dhe me të vërtetë e dëmton vendin tonë”, u përgjigj Trump të mërkurën kur u pyet nga një gazetar rreth vendimit të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve për të shqyrtuar financat e tij.
Presidenti Trump vuri në shënjestër kryesuesin e komisionit, Adam Schiff, një demokrat dhe kritik i njohur i presidentit.
“Mbi çfarë baze do ta bënte ai? Nuk ka asnjë bazë për ta bërë këtë. Ai është thjesht një person politik dhe po përpiqet të krijojë emër për veten e tij,” tha Presidenti Trump për zotin Schiff në përfundim të një aktiviteti të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë për të shpallur zotin David Malpass si kandidat i SHBA për të drejtuar Bankën Botërore.
Disa orë para kësaj, Schiff deklaroi se komisioni, tashmë në duart e demokratëve, do të zgjeronte hetimin përtej Rusisë dhe do të shqyrtojë nëse Presidenti Trump i merr vendimet e tij politike dhe veprimet e tjera si president nisur nga interesat e veta financiare.
Gjatë fjalimit të tij për gjendjen e vendit të martën, Trump i cilësoi pyetje të tilla nga komisionet e kongresit “hetime partiake qesharake”.
Ai tha: “Nëse duam të ketë paqe dhe ligje, nuk mund të kemi luftë dhe hetime”.
/a.meta