Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, gjatë së cilës është takuar me Ministrin e Burgjeve Rory Stewart, Sekretarin për Punët e Brendshme, Philip Rutnam dhe Shefin Ekzekutiv të Zyrës së Rekordeve Kriminale (ACRO) Rob Price.
Në takimet e veçanta bilaterale me zyrtarët britanikë, ministrja e Drejtësisë ka marrë mbështetjen e plotë për nismat antikrim që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë tashmë, sikurse për reformat e thella që janë duke u kryer, e në veçanti për reformën në sistemin penitenciar.
Ministrja e Drejtësisë dhe ministri britanik për Burgjet diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me fokus specifik bashkëpunimin në fushën e burgjeve dhe reformës gjyqësore. Të dy vendet kanë punuar ngushtë ndër vite dhe në mënyrë produktive mbi këto çështje dhe të dy ministrat theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij angazhimi, duke shprehur besimin në vijimin dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.
Në takimin me Sekretarin për Punët e Brendshme, Philip Rutnam, ministrja Gjonaj ka folur lidhur me masat antikrim që po ndërmerr Qeveria Shqiptare, ndër të cila ka veçuar regjimin e ri të sigurisë në burgje si dhe paketën antikrim që është duke u përgatitur nga Ministria e Drejtësisë.
Lidhur me regjimin e ri të sigurisë në burgje, ministrja Gjonaj tha se me ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga parlamenti, parashikohet vendosja në një regjim të pozaçëm izolimi të dënuarve për vepra penale të krimit të organizuar, terrorizmit apo ekstremizmit të dhunshëm.
Rutnam përshëndeti nismat e MD dhe nënvizoi rëndësinë që ka ndërprerja e lidhjeve që elementë kriminalë të organizatave kriminale në burgje tentojnë të mbajnë me botën jashtë, për të ndjekur aktivitet e tyre kriminale. Sipas tij për Qeverinë Britanike është e gatshme të mbështesë me ekspertizë dhe nga ana financiare në rritjen e sigurisë në burgje në Shqipëri.
Në takimin me shefin e Zyrës së Rekordeve Kriminale (ACRO), ministrja Gjonaj ka vlerësuar mbështjejen e dhënë nga kjo zyrë, që ka rezultuar me një bashkëpunim mjaft produktiv në muajt e fundit, por nënvizoi se është shumë e rëndësishme të shkohet më tej në një tjetër nivel.
Price nga ana e tij ka vlerësuar punën e mirë të bërë nga autoritete shqiptare dhe bashkëpunimin frytdhënës në mënyrë të ndërsjelltë. Ai theksoi se ACRO është shumë e kënaqur me rezultatet pozitive në shkëmbimin e dhënave kriminale me Shqipërinë./a.meta