Kreu i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë, ish-ministër i Financave, Arben Ahmetaj u shpreh se “taksa e sheshtë prej 9% që propozon Partia Demokratike e shkatërron shtresën e mesme dhe Partia Socialiste nuk do ta lejojë kurrë”.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Ahmetaj argumentoi se me paketën ekonomike që propozon Partia Demokratike kurrë nuk do të vijë në pushtet, pasi ajo paketë krijon pabarazi dhe mbështet oligarkinë.
“Thanë se do të kthejnë taksën e sheshtë në 9%, por kurrë nuk do ta lejomë taksën e sheshtë sepse ngarkon qytetarët me dyfishimin e taksave. I sfidoj sa i përket ofertës tuaj. Ju thoni se do sjellë lulëzim ekonomik ky 9%. Janë 300 mijë familje që do u ngarkohet dyfishi i taksave. Taksa e sheshtë e shkatërron shtresën e mesme”- tha Ahmetaj.
Duke folur me gjuhën e shifrave, Ahmetaj argumentoi se, “Sot me taksën progresive një nëpunës paguan 2880 lekë në muaj, me taksën e sheshtë që propozoni ju shkatërroni klasën e mesme. Që ti ulni taksën 5% të punësuarve dhe të taksoni 40% të punësuarve është pabarazi. Biznesi i vogël paguan 0 taksë dhe ju doni t’i shtoni taksën në bazë të xhiros. Janë 91% e biznesit që paguam 0 Taksë”.
Ahmetaj i bëri apel opozitës të diskutojë realisht shifrat ekonomike dhe jo për fushata dezinformimi, ndërsa nënvizoi se sot qeveria ka rritur në 264 mijë numrin e të punësuarve.
Ndërsa duke folur për peshkimin, ai tha se, kemi ndërmarrë hapa për ta kthyer këtë biznes në zhvilim normal.
“Shqipëria është e varfër, por jo aq sa ka qenë në vitin 2013. Çdo parti që humb ankohet për vjedhje votash. Ju nuk vini kurrë në pushtet me atë paketë ekonomike. Asnjeri nuk përfiton nga mos hapja e negociatave ”- tha Ahemtaj.
/a.rada