Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka komentuar deklaratën zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Koçijançiç, e cila tha se çështja Trepçës duhet të zgjidhet nëpërmjet një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa shprehet se një kërkesë e tillë është e papranueshme dhe absurde, ndërkohë që të tillë cilëson edhe dialogun për kufijtë e Kosovës.
‘Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë’, shkruan Mustafa.
Komenti i plotë:
Të nderuar qytetarë
Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës.
Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.
Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë!
/a.rada