Duke nisur nga sot, Bulevardi i Ri nga ish-Stacioni i Trenit deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” është funksional për automjetet. Bashkia e Tiranës ka përfunduar segmentin e dytë prej 500 metrash të Bulevardit të Ri, si dhe sheshin e tretë në fund të tij, duke ofruar një standard të lartë të punimeve dhe një mjedis çlodhës për banorët e zonës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve, si dhe faktin që tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.
“Jam shumë i lumtur që kemi hapur sot sheshin e tretë të bulevardit dhe ende pa përfunduar pjesa finale e tij, është funksional për automjetet. Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi tek tjetra, duke e parë bulevardin si urë dhe jo si ndarje. Jam shumë i lumtur që zgjidhet një nyje e trafikut që i afrohet asaj që në të ardhmen do jetë Unaza e katërt e Tiranës”, tha Veliaj. Ai theksoi rëndësinë që ka ky bulevard për zhvillimin e Tiranës dhe nënvizoi kontrastin që ka sjellë puna e bërë gjatë këtyre viteve në këtë projekt në krahasim me administratën e shkuar.
“Më kujtohet kur e nisëm këtë punë, para katër vitesh: Kemi qenë tek ish stacioni i vjetër i Trenit dhe është e pabesueshme sa ecet kur punohet. Teksa shoh kontrastin, tani që po i afrohemi lumit dhe ku investimi ynë në lumin e Tiranës na ndan nga bashkia që vjen e proteston çdo ditë në Tiranë; teksa shoh që në anën tjetër të lumit vazhdon e hidhen plehra, të digjen plehra, i gjithë tymi vjen në Tiranë, u them që ju mirëpresim! Tani ju kemi bërë edhe një bulevard të ri, mund të vini të protestoni për çdo gjë, por fillimisht na tregoni, si e bëni ju këtë punë! Para se të mobilizoheni të rrëzoni qeverinë dhe ata që kanë sjellë gjithë këtë zhvillim e progres për Tiranën, na thoni nga kush duhet të marrim shembull? Unë nuk besoj se në Tiranë duhet të vazhdojnë të hidhen më plehra në lumë, në Lanë apo në Erzen; nuk besoj se duhet të digjen më plehra, ndërkohë që kemi një mënyrë moderne sot të përpunimit; nuk besoj që rruga, dhuna, pengesa, sabotimi është mënyra për të ecur përpara”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Ai u shpreh se Bulevardi i Ri i Tiranës, me ecurinë e deritanishme të punimeve, është dëshmi e faktit se puna dhe vullneti për të bërë gjëra të mira, triumfon mbi çdo përpjekje për ta penguar atë. “Kur filluam punën për bulevardin kishte vetëm një tabelë që thoshte: Nuk na lënë të punojmë! Ndërkohë, si Saliu, si Luli, bashkë ishin edhe në bashki, edhe në qeveri, dhe kishin kohë të punonin. Sot e kuptojmë që në fakt, ata që nuk të lënë të punosh janë ata vetë dhe fakti që sabotohet Unaza e Madhe, fakti që sabotohen lodrat te Liqeni, fakti që sabotohet Bulevardi i Ri, shkollat, çdo lloj pune publike në Tiranë, do të thotë se paska një pjesë të politikës që nuk ia do të mirën këtij vendi, nuk do që ky vend të bëjë përpara!”, u shpreh Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku theksoi se ashtu si në këtë bulevard, puna nuk do të ndalet në asnjë projekt tjetër të Bashkisë së Tiranës. “Për pak ditë përgatitemi të festojmë 99-vjetorin e Tiranës kryeqytet. Kemi 99 vjet që vazhdojmë të mbarojmë projektin që nisën italianët, kur vjen puna tek bulevardi dhe aksi origjinal i tij, i konceptuar nga italianët, i cili mbeti pa u mbaruar edhe nga komunistët, edhe nga kjo përpëlitja jonë 30-vjeçare. Ndaj, për të gjithë ata që duan ta shohin Tiranën Zonjë, do të duhet që të mbështetin Tiranën e punës, Tiranën e pastër, Tiranën e drejtë, Tiranën që nuk bllokohet nga një minorancë e zhurmshme, por që fuqizohet nga një shumicë e heshtur”, theksoi Veliaj.
Ai vuri në dukje se projekti i Bulevardit të Ri po vijon edhe për pjesën tjetër, ndërsa bëri të ditur se ai do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë investim dhe të mos e vandalizojnë. “Jo vetëm që ky investim ka ecur sipas planit, pavarësisht se humbëm 4 vjet, rikuperuam gjithë kohën e humbur, po përgatitemi që në sheshin final, i cili do të jetë simotra e sheshit “Nënë Tereza”, të bëjmë një investim të jashtëzakonshëm, të jetë një shesh modern, krahasuar me sheshin klasik që kemi në fund nga ku duket Universiteti i Tiranës”, shtoi ai.
Kryebashkiaku theksoi se ky bulevard do jetë boshti i asaj që nesër do të quhet Tirana e së ardhmes. Veliaj tha se këtu do të vendosen shumë institucione publike dhe të biznesit, çka pritet ta bëjë atë një nga zonat më të mira të Tiranës. “Bashkia e Tiranës ka hartuar të gjitha PDV-të e Bulevardit të Ri: kjo është hapësira ku presim zhvillimin për zyra, institucione, banka, por edhe për disa nga dikasteret e Republikës sonë. Jemi duke folur me kryeministrin për të transferuar këtu Bibliotekën Kombëtare, e cila ka nevojë për më shumë hapësirë. Tirana sot ka nevojë të zgjerohet në këtë drejtim dhe besoj që pas 99 vitesh kryeqytet, apo 50 vitesh mbas fillimit të projekteve të asaj që quhet deri dje Tirana e Re, mund të themi me plot gojën se Tirana e re e 100 viteve të dyta si kryeqytet, do të jetë zona e Bulevardit të Ri dhe gjithë ky zhvillim fantastik që po shohim këtu”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
/a.rada