Një ngjarje e rëndë është zbuluar pak ditë më parë në Kavajë, pikërisht në shkollën “Rilindja”, ku shtatë adoleshentë akuzohen për abuzimin seksual të një 14-vjeçare. Ata kanë dalë sot paradite para Gjykatës së Durrësit për rivlerësim të masës së sigurisë, ku kanë pranuar dhe ngjarjen e rëndë.
Shtatë adoleshentët kanë pranuar abuzimin me 14-vjeçaren, teksa pohuan se kjo gjë ka ndodhur disa herë dhe se e merrnin atë në shtëpi. Në seancën gjyqësore ndodhen edhe prindërit e fëmijëve të arrestuar, ndërsa mësohet se mamasë së njërit prej fëmijëve nga tronditja i ka rënë të fikët.
Ndërkaq, prokurorja e Durrësit, Oltjana Gjoni, ka kërkuar masën “arrest me burg” për 7 të miturit.
Banorët kanë treguar se vajza ishte një nxënëse e shkëlqyer. Banesa e vajzës është shumë pranë shkollës. Vajza jetonte me gjyshërit, dy motrat dhe të ëmën. Ndërkohë që i ati ishte emigrant në Itali. Ai është kthyer me të marrë vesh ngjarjen.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit në polici të vetë 14-vjeçares që mban datën 29 Janar të këtij viti. E mitura ka pohuar se është abuzuar nga 8 persona të moshës 14-17 vjeç, ndërsa një 15-vjeçar vijon të jetë në kërkim.