Reforma në drejtësi, e cila ka vënë në fazë tranzicioni gjithë sistemin, ka bërë që disa hallka të tij të vuajnë nga “ngërçe” që do të zgjidhen vetëm pas krijimit të organeve të larta.
Një raport i Kontollit të Lartë të Shtetit, i publikuar së fundmi lidhur me një auditim pranë Gjykatës Administrarive të Apelit, ka dalë në përfundimin se mungesa e burimeve njerëzore ka bërë që volumi i dosjeve për çdo gjyqtar të jetë shumë i lartë. Kjo sipas KLSH ka ardhur si efekt i mosplotësimit të shtesës organike të strukturës që ka mbetur peng i Këshillit të Lartë të Gjyqsorit.
Sistemi i Drejtësisë është ende në proces reformimi, në pritje të krijimit të institucioneve ligjore të reja , sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, si rrjedhim Gjykata Administrative Apelit-Tiranë është në përshtatshmëri të veprimtarisë së saj me frymën e reformës në drejtësi.
Pikërisht moskrijimi i Këshillit te Lartë te Gjyqësorit (KLGJ) ka sjellë mosplotësimin e shtesës organike të strukturës me nëpunës civilë gjyqësore dhe me punonjës së strukturës administrative, e cila është domosdoshmëri absolute, për kushtet dhe natyrën e punës në GJAA-Tiranë.
Konkretisht, si pasojë e fluksit të regjistruar të çështjeve administrative për gjykim si dhe të gjykuara deri në momentin e hartimit të këtij materiali, u konstatua ngarkesë voluminoze së punës së gjyqtarëve (70 dosje në muaj), rrjedhimisht është i nevojshëm dhe i domosdoshëm shtimi i organikës me sekretarë gjyqësor” vlerëson KLSH.
I njëjti dokument nënvizon se pavarësisht miratimit të Reformës në Gjykata Administrative e Apelit- Tiranë, si gjithë gjykatat e çdo niveli në Shqipëri, kanë operuar me aktet ligjore/nënligjore të mëparshme, ku Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor (ZABGJ), vazhdon të kryejë funksionet e mëparshme, sipas vendimeve të Bordit Drejtues të saj.
Gjykata ka kërkuar në mënyrë shkresore rritje të organikës së saj por që në finale nuk është miratuar duke bërë që volume i dosjeve të jetë i papërballueshëm.
KLSH në fund ka rekomanduar që nga ana e GJAA-Tiranë me ZABGJ-në (deri në momentin e krijimit të KLGJ), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe me Ministrinë e Drejtësisë, të gjendet mundësia e dhënies së fondeve buxhetore për shtimin e strukturës organike me sekretarë gjyqësore dhe punonjës së strukturës administrative, në mënyrë që të sigurohet pavarësia e gjyqësorit, duke iu përgjigjur në kohë gjykimin e çështjeve administrative në përputhje me bazën ligjore.