Banorët e rrugës “Fiqiri Basha” në zonën e Laprakës i kanë thënë lamtumirë baltës në dimër e pluhurit në verë. Bashkia e Tiranës ka nisur asfaltimin e kësaj rruge, duke ofruar edhe për këtë lagje gjithë standardet e nevojshme të një infrastrukture urbane.
Pas përfundimit të rehabilitimit të gjithë infrastrukturës nëntokësore, përfshi rrjetin e ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit dhe atyre telefonike, ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës kanë vijuar punën për ndërtimin e gjithë infrastrukturës sipërfaqësore, asfaltim, ndriçim dhe sinjalistikë.
Njësia nr. 11 në Tiranë është një nga njësitë që ka përfituar një sërë investimesh rrënjësore, duke ndryshuar rrënjësisht pamjen e shumë lagjeve në të. Ky investim është një tjetër dëshmi e faktit se Bashkia e Tiranës ndjek të njëjtin standard në punimet e saja si në qendër ashtu edhe në periferi.