Nga Arton Konushevci, REL/
Njëri nga bashkëkryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka deklaruar për mediat vendore se nga takimet që ka pasur me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, zyrtarëve të institucioneve të Kosovës u është rekomanduar që të mos bëjnë kërkesa për viza amerikane përderisa në fuqi është tarifa doganore 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Kërkesa amerikane për institucionet e Kosovës është e qartë dhe kërkon suspendimin, qoftë edhe të përkohshëm të kësaj tarife, në mënyrë që të vazhdojë dialogu në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka si qëllim arritjen e një marrëveshjeje historike të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Është një vendim që nuk e kisha quajtur vendim formal, megjithatë është e qartë që po thotë më mirë mos kërkoni të shkoni në Amerikës, sepse nuk duam t’ju refuzojmë, por e kemi si vendim dhe qëndrim se pa u pezulluar kjo taksë, nuk mund të vini në Amerikë”, ka deklaruar Ahmeti në një intervistë për TV Dukagjini.
Ahmeti ka thënë, po ashtu, se e tash është koha që të bisedohet me zyrtarët amerikanë dhe të bëhet një kërkesë e sinqertë për dialogun.
“Për mua ajo kërkesë e sinqertë është që nga Amerika dhe Brukseli të kërkojmë të kthehemi në tavolinë [të bisedimeve] pa kushte”, ka thënë Ahmeti.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka bërë të ditur përmes një komunikate se refuzimi për të pezulluar tarifat është qëndrim kundër interesave të SHBA-së
Kurse, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se pezullimi i përkohshëm i taksës është hapi i vetëm jetik për ta çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë. Por, ai në asnjë rast nuk ka përmendur ndonjë sanksion të caktuar.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të lëkunden. Ai ka shprehur edhe dyshime në deklaratat e Ahmetit, duke thënë se politika e SHBA-së transmetohet vetëm përmes zyrtarëve të Qeverisë amerikane dhe askujt tjetër.
“Ambasadori amerikan tha se jemi vende mike dhe nuk ka sanksione ndaj njëri-tjetrit, ne vetëm ju udhëzojmë që ta ruajmë miqësinë dhe të punojmë bashkërisht rreth synimeve e idealëve që janë të njëjta”, ka thënë Tahiri.
Në marrëdhëniet diplomatike zakonisht subjekti flet vet për vetveten, tha Tahiri.
“Në këtë rast nuk është i drejtë deklarimi i Shpend Ahmetit, e as i saktë, edhe nuk është përgjegjës për ambasadorin amerikan, sepse politika e SHBA-së transmetohet nga zyrtarët amerikan. Çdo spekulim në këtë drejtim do të ishte i pandershëm dhe i pasaktë”, është shprehur Tahiri.
Përderisa Shpend Ahmeti ka parashikuar telashe nëse zyrtarët e Kosovës ia mësyjnë SHBA-së, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka njoftuar se do të marrë pjesë në ministerialin e Koalicionit Global në Uashington D.C. dhe në Lutjet e Mëngjesit.
“Me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, do të marrë pjesë në takimin e ministerialit të shteteve anëtare të Koalicionit Global kundër DAESH-it, i cili do të mbahet në javën e parë të muajit shkurt, në Uashington D.C. Gjatë vizitës dhe qëndrimit në SHBA, kryediplomati kosovar, Pacolli, do të marrë pjesë edhe në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit, e cila do të mbahet me datën 8 shkurt, 2019”, thuhet në njoftimin e zyrës së ministrit Pacolli.
Para pak ditësh, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të dëshironte të shkonte në Uashington që të merrte pjesë në Lutjet e mëngjesit, por siç tha ai, tash për tash “nuk ka klimë të mirë” për të realizuar këtë vizitë.
Aktualisht, Haradinaj mbetet njëri prej liderëve të vetëm që po këmbëngul nga mbajtjen në fuqi të tarifës doganore, pavarësisht kërkesave të SHBA-së dhe Brukselit për suspendimin e vendimit.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe të premten se të gjithë ata që deklarojnë se po dëmtohen marrëdhëniet me Amerikën, e kanë gabim. Sipas tij, popujt që janë rreshtuar me Amerikën kanë krijuar botën e lirë, dhe edhe Kosova ka arritur atë që ka synuar – lirinë. Ai ka thënë se taksa nuk do të largohet përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, është vendosur kundër Rusisë. Rusia dhe Serbia kanë punuar intensivisht që shtetet të tërheqin njohjen e Kosovës. Nuk ka kushte për dialog, dialogu duhet të vazhdojë pa kushte. Ua përmenda taksën se rrethanat e sotme nganjëherë janë në vazhdim që nga periudhat e dikurshme, taksa do të mbesë deri në njohje “, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka përsëritur edhe qëndrimin se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, nuk duhet të ketë si pasojë dëmtimin e tërësisë territoriale të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës ka kritikuar edhe liderët politikë, përfshirë edhe ata që janë në koalicionin qeverisës, të cilin ai e drejton, për shkak të, siç ka thënë ai, deklaratave se pezullimi i tarifës duhet të bëhet për të ruajtur miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
“Ka ardhur koha që nuk bën të jepet më tokë, asnjë pëllëmbë e këtij vendit. Pse të jepet tokë kur të gjithë rrethohen me tokat tonë”, tha Haradinaj.
Ditëve të fundit, janë shfaqur mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e pezullimit ose jo të taksës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Këto mospajtime vlerësohet se janë duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e koalicionit qeverisës, marrë parasysh faktin që Partia Demokratike e Kosovës dhe udhëheqësi i saj, Kadri Veseli, janë pajtuar për pezullimin e tarifës.
Në përgjithësi, lidershipi në Kosovë, të paktën përmes deklaratave publike, shprehet se Kosova i mbetet besnike miqësisë dhe partneritetit me SHBA-në, por në rastin e tarifave, ende nuk ka arritur të gjejë një gjuhë të përbashkët që do të nënkuptonte edhe harmonizimin e qëndrimit të Prishtinës me kërkesën e Uashingtonit.