Gjykata ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë për katër personat e arrestuar në zonën e Saukut në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Vollga” gjatë të cilit u sekuestrua 5 kilogramë heroinë.
“Arrest me burg” u vendos për Amir Trocin, Besmir Dashin dhe Nexhmi Ukën.
Ndërkohë për Alban Raitën, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bazuar në hetimet e policisë rezulton se ka qenë Troci ai që e ka sjellë lëndën narkotike nga Maqedonia. Lëndën narkotike të dyshuarit do e sillnin në Tiranë, ndërsa paratë do ti merrnin në rrugën “Myslym Shyri”.
Specialistët për hetimin e narkotikëve në policinë e Durrësit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, pas ndjekjes dhe mbajtjes nën vëzhgim, kapën në flagrancë në Tiranë tre të dyshuarit me rreth 5 kg të dyshuar heroinë, si dhe sasi monetare, tre automjete e disa telefona.
Aktualisht vijon puna për dokumentimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.
/a.rada