Nga Max Hofmann
Sigurisht, sipas të gjitha informacioneve të ditura, SHBA ka të drejtë. Rusia me raketat e saj 9M729 shkel marrëveshjen INF për ndalimin e raketave tokësore atomare me rreze të mesme veprimi. Këtë e kanë konfirmuar, sipas informacioneve të Deutsche Welles edhe shërbime të ndryshme sekrete perëndimore, pavarësisht nga njëri-tjetri. Pse atëherë t’i qëndrosh një konstrukti që realisht nuk funksionon?
Por me këtë hap bie një element i rëndësishëm i strukturës së sigurisë, që gjithmonë ka qenë e lëkundur, me ardhjen e Donald Trumpit si president. SHBA dalin nga kjo marrëvesje pa pasur një vizion realist për një marrëveshje pasuese. Si nga amerikanët edhe nga rusët dëgjohet gjithmonë, se e gjitha kjo i adresohet Kinës. Ata janë të palidhur me ndonjë marrëveshje dhe po ndjekin masivisht një politikë të armatimit. Sidomos për Rusinë kjo është problematike. Për të pasur një potencial kërcënimi të drejtuar nga Lindja, është e nevojshme, sipas Moskës të zotërohen raketa tokësore me rreze të mesme veprimi.
Të luash me fundin e botës
Edhe këtë nga pikëpamje ushtarake nuk mund ta mohosh dot. Vetë SHBA e ndjekin me shqetësim në rritje shtimin marramendës të shpenzimeve ushtarake dhe armatimit në Kinë. Por si do ta përmirësoj gjendjen atëherë prishja e marrëveshjes së fundit më të madhe për armët nukleare? Kjo është si të luash me fundin e botës.
Aktualisht dëgjohet refreni se ndryshimi i klimës mund t’i japë goditjen vdekjeprurëse njerëzimit. Ka shumë gjasë që kjo të jetë kështu, por një garë e re armatimi e pakontrolluar mes Rusisë dhe SHBA-së e lidhur me një fuqi të re ushtarake botërore si Kina e bën të ardhmen edhe më të errët. Ne të gjithë, veçanërisht europianët si top loje e fushë-betejë potenciale e fuqive të mëdha patëm fat të madh. Gjatë krizës së Kubës në vitin 1962 katastrofa ishte shumë pranë. Një arsye, pse një skenar i tillë i tmerrshëm u mënjanua ishin ata që kishin në dorë çelësin e rëndësishëm – John F. Kennedy dhe Nikita Hrushov. Politikanë të tillë të shkollës së vjetër nuk i gjen më aty ku janë butonat e armëve nukleare. Trump, deri së fundmi, për fat, u ka qëndruar larg çështjeve ushtarake. Tek NATO ai e ngrinte zërin më shumë për para dhe kontributet që duhen paguar. Kjo tani duket se ka marrë fund.
Presidenti Putin luan me shumë dëshirë me zjarrin në perëndim të perandorisë së tij të madhe. Sepse, edhe nëse argumentimi me Kinën mund të duket i kuptueshëm, ai nuk të sqaron, se pse Putini raketat me rreze të mesme veprimi ua tund para hundës europianëve.
Ajo që duhet – marrëveshje botërore atomike
BE dhe bota do të jenë pa një marrëveshje për armët bërthamore së shpejti. Nga instrumentat për kufizimin e armëve atomike dhe çarmatimin mbetet vetëm marrëveshja “New Stat”, të cilës i mbaron afati në vitin 2020. Më së voni deri në këtë kohë do të duhet të kemi atë, për të cilën ka nevojë globi. Një marrëveshje të gjerë botërore për kontrollin e armëve atomike. Çdo gjë tjetër nuk do të ketë jetë të gjatë, po të mendosh se ka një sërë vendesh të tjera kanë ambicie nukleare.
Me këtë kurs politikanët botërorë që aktualisht janë në fuqi i lenë gjeneratave të ardhshme një botë vërtet të frikshme. Shumë në Europë nuk ndjehen të kërcënuar, dhe as që e kanë përfytyrimin se ç’do të thotë luftë. Mrekulli. Por shanset se kjo do të mbesë kështu janë përkeqësuar me daljen e SHBA nga marrëveshja INF. Njeriu është harrues – kjo vlen edhe për kombet e presidentët. Rusia dhe SHBA duhet të kujtojnë me urgjencë, se me çfarë loje tmerrësisht shkatërruese po luajnë aktualisht./DW/