Në kuadër të pjesëmarrjes në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate, i cili zhvillohet në Bukuresht më 31 janar – 1 shkurt, Ministri në detyrë Gent Cakaj zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe në Rumani, vend i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Në takimin me Ministrin rumun të Shtetit për Çështjet Evropiane George Ciamba, diskutimet u përqendruan në mbështetjen e Presidencës rumune të Këshillit të BE-së për axhendën evropiane të Shqipërisë.
Ministri në detyrë Cakaj, shprehu vlerësimin e lartë për përparësinë që programi i Presidencës rumune të BE-së i kushton procesit të zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor. Pasi nënvizoi arritjet e deritanishme në procesin e reformave që lidhen me konsolidimin e shtetit ligjor dhe me përparësitë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Ministri në detyrë Cakaj shprehu angazhimin e vendosur për thellimin e tyre. Çelja e bisedimeve të anëtarësimit, u shpreh Cakaj, përveç se njohje e merituar e arritjeve në plotësimin e përparësive kyçe, do të jetë edhe një busull orientuese për më tej.
Ministri Ciamba vlerësoi arritjet e Shqipërisë në reformat e brendshme, si dhe rolin kontruktiv në rajon. Mbi këtë bazë, Ministri Ciamba shprehu vendosmërinë e Presidencës rumune të Këshillit të BE-së për të mbështetur avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu edhe mundësitë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Rumanisë.
Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi gjithashtu takime në Parlamentin rumun me Kryetarin e Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme Cristian Dumitrescu dhe Zëvendës Presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe Zëvendës Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Dhomës së Deputetëve Ben-Oni Ardelean. Në fokus të takimeve ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe diplomacisë parlamentare.
Po ashtu, në këto takime u nënvizua progresi i arritur i Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian dhe mbështetja e Presidencës rumune për të avancuar këtë proces më tutje./a.meta