Këshilltari i PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Akil Kraja është shprehur pro ndërtimeve dhe kullave shumëkatëshe në Tiranë, duke i cilësuar ato si zhvillim për qytetin.
Një qëndrim krejt i kundërt me çfarë thotë në publik Lulzim Basha dhe PD-ja zyrtare.
Kraja është shprehur se ndërtimet janë motor i ekonomisë së një qyteti, teksa shton se kompanitë të ndryshme kanë nëevojë për hapsira.
“Unë personalisht kam qenë kundër moratoriumit të ndërtimeve, edhe si këshilltar. Unë besoj që ndërtimi është një motor për ekonominë e qytetit, ndërtimi rrit standardet e jetesës.
Unë them që duhet të shtohen madje edhe kullat, po. Projekti fillestar ka qenë që të bëhet një zgjatim bulevardi si në të gjitha kryeqytetet e botës, ku ka një distrikt financiar.
Pra duhet patjetër, edhe kullat duhen.
Janë fabrikat e shekullit 21, callcenter-at kanë nevojë për hapësira, kompanitë digjitale, televizionet kanë nevojë për hapësira, kompanitë moderne të shekullit 21 kanë nevojë për hapësira.
Pra unë jam pro kullave”, ka thënë këshilltari i PD për Fax Neës, Akil Kraja.
Kujtojmë që, kreu i PD ka kundërshtuar më herët ndërtimin e kullave shumëkatëshe në kryeqytet, madje duke e cilësuar biznesin e ndërtimit si mafia e ndërtimit që pastron para.