Alket Dauti, 31-vjeçari i cili qëndronte pas një rrjeti që trafikoi me qindra gra e fëmijë në Britani, të fshehur në kamionë frigoriferikë është dënua me 10 vjet burg.
Shqiptari u ekstradua të premten në Belgjikë, ku ishte dënuar në mungesë. I cilësuar nga autoritetet britanike si një kriminel i pashpirt, i cili i trajtonte emigrantët e dëshpëruar si një komoditet, nga i cili mund të bënte para, 31-vjeçari e ushtroi aktivitetin e tij kriminal duke korruptuar shoferët e kamionëve. Ai i trafikonte emigrantët nga Europa drejt Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet porteve të kanalit britanik.
Dauti jetonte në Penge, në juglindje të Londrës. Ai u arrestua në shtëpinë e tij nga oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit verën e shkuar, si pjesë e një hetimi të përbashkët mes Britanisë dhe Belgjikës mbi krimin e organizuar.
Në kohën kur u arrestua, teksa shoqërohej jashtë banesës me pranga në duar, ai iu drejtua një prej oficerëve të infiltruar, i cili e mbajti atë nën përgjim deri në momentin që u arrestua, me fjalët: “Ty të mbaj mend shumë mirë”.
Bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij të vegjël mbetën të shtangur kur oficerët e morën nga apartamenti i familjes. Ndërkohë që po hipte në makinën e policisë Dauti iu drejtua gazetarëve me fjalët: “Shkruani mirë për mua, kapët fotografi të mira?”
10 pjesëtarë të tjerë të kësaj bande ishin arrestuar më parë në operacione të zhvilluara në Belgjikë, Francë dhe Spanjë.
Dauti u dënua në mungesë me 10 vjet heqje lirie dhe një gjobë prej 720 mijë euro, nga një gjykatë belge më 14 Dhjetor. Atij pritet t’i bashkohen edhe dy vartës të tjerë, të dënuar me nga 8 vjet burg secili dhe që presin ekstradimin.
Hetuesit belgë besojnë se ky rrjet ishte i përfshirë në qindra tentativa për të futur emigrantë në Britani. Shumë pak prej këtyre tentativave u arritën të parandaloheshin nga forcat kufitare.
Të hënën, duke komentuar ekstradimin e Dautit, një zyrtar britanik, me ironi tha se shpresonte që 31-vjeçari të mos deportohej në Shqipëri, duke nënkuptuar se kështu nuk do të mund të rikthehej për të kryer aktivitetin e tij kriminal në Britani.
a.cupaj