Kryeministri grek Alexis Tsipras njoftoi të hënën se ka në plan të rrisë pagën minimale mujore me rreth 11 për qind, rritje e parë e tillë që kur kriza e borxhit të vendit shpërtheu pothuajse një dekadë më parë. Vendi doli në gusht nga paketa e saj e tretë ndërkombëtare e shpëtimit, që nga viti 2010 dhe qeveria, e cila përballet me zgjedhje kombëtare këtë vit, ka premtuar të ndryshojë disa nga reformat jopopullore të zbatuara nga Greqia nën mbikëqyrjen e kreditorëve.
“Unë po ju bëj thirrje, pas një dekade të shkurtimeve të pagave, për të bërë një hap tjetër historik”, tha Tsipras, duke i bërë thirrje qeverisë së tij të miratojë propozimin e ministrisë së punës për një rritje në 650 euro nga 586 euro aktualisht, të pagës minimale.
Tsipras, i cili u zgjodh në vitin 2015 duke u zotuar t’i japë fund masave shtrënguese, por më vonë nënshkroi me paketën e tretë të Greqisë, propozoi gjithashtu heqjen e pagës minimale të të rinjve, për ata nën moshën 25-vjeçare.
Ministrat e përgëzuan dhe Tsiprasi duke qeshur u përgjigj: “Nga reagimi juaj unë mendoj se propozimi im do të miratohet”. Plani duhet të miratohet nga parlamenti në ditët në vijim, që të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, siç shpreson qeveria.
Athina u kishte thënë huadhënësve të saj evropianë se do të rikthente procesin e rritjes së pagës minimale pas përfundimit të paketës së ndihmës. Greqia e uli pagën minimale mujore standarde me 22 për qind në 586 euro në 2012, kur u zhyt në recesion.
Punëtorët nën 25 vjet kanë pësuar ulje më të madhe të pagave, si pjesë e masave të parashikuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, për të bërë tregun e punës më fleksibël dhe ekonominë më konkurruese. Greqia parashikon rritje ekonomike prej 2.5 për qind këtë vit.
“Rritja minimale e pagave shënon fillimin e një epoke të re për punëtorët grekë që mbanin peshën e krizës mbi shpatullat e tyre”, tha për Reuters, Ministrja e Punës, Effie Acthsioglou.
“Ky vendim vërteton në praktikë se çfarë do të thotë të kesh qeverinë e majtë në drejtimin e vendit”.
/a.meta