Gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit, përfaqësuesi i PD, Genc Pollo kërkoi nga qeveria të raportojë për ecurinë e integrimit si dhe ecurinë e 5 prioriteteve kyçe, kërkesë që është pranuar nga mazhoranca.
Gjatë fjalës së tij në komision, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përgëzoi opozitën për rikthimin në komisionet parlamentare dhe u shpreh se qeveria deri në fund të muajit shkurt ka detyrim të sjellë raportin për integrimin që duhet shoqëruar edhe me diskutim në seancën plenare.
I pyetur nga Aldo Bumçi se kush është qëndrimi i qeverisë për ndryshimin e kufijve, Balla tha se Kosova është një shtet sovran dhe Shqipëria nuk ndërhyn në politikën e saj të jashtme.
Pollo: Kërkese qeverisë se deri ku ka shkuar me përmbushjen e kushteve që janë vendosur nga BE. Qeveria të raportojë për ecurinë e procesit të integrimit. Edi Rama është ministër për integrimin europian. Kërkojmë informacion për ecurinë e 5 prioriteteve, procesi skrining, raporti 3 mujor, lista e ligjeve qe përafrohet me legjislacionin e BE
Balla: Përgëzoj opozitën për rikthimin në punën normale. Mirëpresim rolin monitorues të opozitës. Dakord më kërkesën që ju keni bërë. Qeveria deri në fund të muajit shkurt ka detyrim të sjellë raportin që duhet shoqëruar edhe me diskutim në seancën plenare. Kërkesa juaj të jetë komplementare me raportin vjetor që sjell qeveria, sepse ky raport është më i detajuar. Komisioni i integrimit i kujton qeverisë të zbatojë afatet. Në konferencën e kryetarëve do kërkojmë të bëhet edhe një debat për çështjen e integrimit.
Bumçi: BE ka vendosur si kusht edhe marrëdhëniet me fqinjët. Duhet të mbahet një qëndrim.
Balla: Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, por ne nuk ndërhyjmë në politikën e jashtme të Kosovës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është që Shqipëria mbështet dialogun e shtetit sovran të Kosovës me shtetin e Serbisë.Ne nuk mund të ndërhyjmë në politikën e jashtme të shtetit sovran të Kosovës.
/a.rada