Familjet në nevojë, që refuzohen nga sistemi i Ndihmës Ekonomike, kanë një tjetër shans për të përfituar një asistencë sociale të përmuajshme nga Bashkia e Tiranës.
Për ata që nuk kanë pikët e mjaftueshme, bazuar nga vëzhgimi i një grupi të posaçëm, bashkia ka ndarë veç një fond të kushtëzuar, një pjesë të të cilit mund ta përdorë për këtë qëllim e madje mund edhe të shtojë fonde të buxhetit vendor, në rast se e gjykon të nevojshme. Por edhe për këtë, ka disa kritere, të pasqyruara në tabelën përbri shkrimit dhe që do duhet t’i kenë parasysh aplikuesit. Kushtet bashkë me dokumentacionin për aplikim do të shqyrtohen të enjten e javës që vjen në Këshillin Bashkiak.
KUSHTET
Aplikimi për ndihmë ekonomike gjatë tre muajve të fundit dhe dokumentacioni i plotë janë dy kushtet e para për të qenë në listën e fituesve. Kjo presupozon kalimin e sitës së parë, atë të vlerësimit social-ekonomik nga administratori shoqëror. Por, edhe midis aplikuesve të rregullt, që plotësojnë treguesit e mësipërm, do të ketë një tjetër selektim. Familjet me mbi katër anëtarë, me një të vetëm si dhe gratë e divorcuara ose të veja me fëmijë do të jenë të parët në listën e përfituesve nga fondi që përdor bashkia. Muajin e kaluar, përfitues ishin 404 familje, nga të cilat 201 do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor dhe 203 nga fondi i kushtëzuar 6%. Sipas përllogaritjeve të pasqyruara në relacionin e projektvendimit që votohet të enjten e javës që vjen në Këshill, familjeve nga 24 njësitë administrative do t’u jepet në total një fond mbi 1 milion lekë për muajin që lamë pas. Përpos tyre, në Këshill Bashkiak ka ardhur edhe lista me afro 3 mijë familje fituese, të cilat do të mund të marrin në këtë fundmuaj ndihmën ekonomike për muajin që lamë pas.
PËRZGJEDHJA E FITUESVE
Përpara se dosjet e aplikuesve të shkojnë në bashki për t’u vlerësuar, kalojnë nga njësia administrative dhe lagjja, e cila përpunon një listë fituesish të mundshëm, për t’ia nisur Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës. Kjo është një punë që bëhet çdo muaj, ku njësia administrative përcakton dhe fondin për çdo familje, bazuar në profilin social-ekonomik, që e pasqyron përmes një relacioni dhe dokumentacionit vërtetues si: certifikata familjare, formulari i verifikimit të situatës social-ekonomike dhe refuzimi nga sistemi i ndihmës ekonomike. Edhe për këta aplikues ka një sistem pikëzimi. Relacioni parashikon që në rastet kur ka më shumë aplikime sesa fondi i planifikuar, fituesit zgjidhen bazuar në përllogaritjen e pikëve. Çfarë ndodh kur ka disa aplikues me pikë të njëjta?! Këtë e zgjidh administratori social, i cili vlerëson në vend situatën e dy familjeve. Zgjerimi i listës së ndihmës ekonomike është një vendim që merret çdo muaj në varësi të numrit të aplikimeve, ndërsa fondi i dedikuar ndahet në fund të vitit.
Sistemi i pikëzimit, familjet që kanë prioritet
Zona prej nga vjen aplikuesi, karakteristikat e dosjes dhe historiku i saj që presupozon arsyet përse është refuzuar nga vlerësuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike, përbëjnë sistemin e pikëzimit mbi të cilin vlerësohen aplikuesit. Sa i takon të parës, banorët e zonave rurale kanë më tepër pikë. Ndërsa në kategorinë e dytë të vlerësimit, më shumë prioritet iu jepet atyre që kanë më shumë se katër anëtarë duke iu dhënë 15 pikë, të ndjekur nga personat që jetojnë të vetëm, familjeve që vijnë nga komuniteti romë e egjiptian e deri te familjet që kanë të papunë, të cilët vlerësohen me 9 pikë.
KRITERET PËR PËRFITIMIN
- Familjet në nevojë do të përzgjidhen nga lista e familjeve që kanë aplikuar brenda tre muajve të fundit nëpërmjet regjistrit elektronik për ndihmën ekonomike dhe të cilat nuk janë shpallur fitues nga sistemi i pikëzimit për pamjaftueshmëri pikësh.
- Do të përzgjidhen ata aplikues që kanë paraqitur dosje të plotë dokumentacioni.
- Prioritet do të kenë familjet me nevoja socialekonomike të theksuara: familje me më shumë se katër anëtarë, familje me një anëtar dhe gratë kryefamiljare të divorcuara/të veja me fëmijë në ngarkim.
Dokumentacioni shkresor nga njësitë administrative:
Lista emërore e përfituesve të mundshëm
Tabela përmbledhëse mbi numrin e familjeve dhe fondin e parashikuar
Profili social i çdo familjeje aplikuesi
(Panorama)