Komiteti Shtetëror për Diasporën mbajti sot mbledhjen e radhës ku ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko prezantoi programin e plotë të Samitit të Dytë të Diasporës, i cili do të zhvillohet më 28 shkurt – 2 mars.
Tema e takimit u përqendrua tek panelet e diskutimit të Samitit të cilat do të trajtojnë çështje thelbësore të Diasporës. Programi i Samitit parashikon realizmin e katër paneleve të diskutimit të cilat do të zhvillohen paralelisht. Në panelin e parë do të trajtohet tema “Vota si e drejtë”, ndërsa fokusi i panelit të dytë do të jetë te ekonomia, ku do të trajtohet tema “Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm – Vendlindja dhe Diaspora”.
Paneli i tretë do të ketë në fokus të diskutimit “Identitetin shqiptar”. Në panelin e katërt me temë “Ftesë nga shtëpia juaj”, do të analizohen aspekte të ndryshme të turizmit dhe agroturizmit. Gjithashtu në mbledhje u prezantuan dhe aktivitetet kulturore dhe artistike që do të realizohen gjatë Samitit në Tiranë dhe në Lezhë./a.meta