Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka ankimuar konfirmimin në detyrë të prokurorit pranë Prokurorisë së Elbasanit, Besnik Canin. Cani, aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe këshilltar i Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku. Prokurori Cani u konfirmua në detyrë më 27 nëntor nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit edhe pse ai pati probleme me justifikimin e pasurisë dhe për disa çështje që kishte hetuar.
Njoftim për shtyp
Në datë 27.11.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
Në datë 25.1.2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 84, datë 27.11.2019, në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në të njëjtën datë, 25.1.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /a.meta