Dieta e pakontrolluar dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çon shqiptarët me shpejtësi drejt obezitetit. Kjo situatë bëhet shkak, ndër të tjera, ndaj ekspozimit kundrejt sëmundjeve vdekjeprurëse.
Një anketë e Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT gjeti se në 2018 rreth 45% e femrave dhe 53% e meshkujve në moshën 15-49 vjeç ishin mbipeshë ose obezë.
Gjysma e femrave të moshës 15-49 vjeç kanë peshë normale, 4% janë të dobëta dhe 45% janë mbipeshë ose obezë. Përqindja e femrave të moshës 15-49 vjeç nën peshë është rritur lehtë nga 3% në 2008 në 4% më 2018. Në të njëjtën periudhë, përqindja e femrave mbipeshë nga 39% më 2008 u rrit në 45% më 2018.
Përqindja e femrave mbipeshë ose obeze rritet ndjeshëm me moshën, nga 14% te femrat e moshës 15-19 vjeç në 75% te femrat e moshës 40-49 vjeç. Përqindja e femrave që janë mbipeshë ose obeze zvogëlohet me rritjen e nivelit të arsimit, nga 49% në femrat me arsim fillor dhe 4-vjeçar në më pak se 35% në mesin e atyre me universitet.
Ndërsa ndërmjet meshkujve 15-49 vjeç, 39% kanë peshë normale, 2% janë nën peshë dhe gati 60% janë mbipeshë ose obezë. Përqindja e meshkujve në moshën 15-49 vjeç nën peshë, u rrit lehtë nga 1% në 2008 në 2% në 2018. Përqindja e meshkujve mbipeshë ose obezë mbeti e pandryshuar në 53%.
Ashtu si edhe tek gratë, përqindja e meshkujve që janë mbipeshë ose obezë rritet ndjeshëm me moshën, nga 14% që është obeziteti në moshën 15-19 vjeç, shkon në 76% në meshkujt e moshës 40-49 vjeç.
Përqindjet e meshkujve me peshë normale janë më të larta në zonat rurale (48%) sesa në zonat urbane (43%). Përqindja e meshkujve mbipeshë dhe obezë është më e ulët në nivelin e ulët arsimor dhe më e lartë në nivelet më të avancuara të arsimit. Afërsisht 60% e meshkujve me universitet dhe në kuintilin e lartë të pasurisë janë mbipeshë ose obezë
Efektet e obezitetit mbi shëndetin
Pesha e tepërt e trupit shoqërohet me disa sëmundje, veçanërisht me sëmundjet kardiovaskulare, diabetin mellitus tipi 2, apnen obstruktive të gjumit, disa lloje të kancerit, osteoartritin dhe astmën. Si rezultat, obeziteti është gjetur se shkakton rënie të shëndetit në përgjithësi. Lufta kundër obezitetit është një nga mundësitë që parandalon vdekjet në të gjithë botën.
/Monitor
a.cupaj