Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla reagon ndaj rrezikut të dëmtimit të kanioneve të mbrojtura të Holtës, pasi aty po ndërtohet një HEC.
I pyetur në lidhje me ndërtimet, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së u shpreh i bindur se kryeministri Edi Rama dhe ministrja e re e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku do të marrin të gjitha vendimet për bllokimin e ndërtimeve.
Balla, njoftoi sot se 6 deputetët socialistë të qarkut Elbasan i kanë dërguar një kërkesë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, për të pezulluar çdo ndërtim në kanionin e Holtës në Gramsh.
“Së bashku me 6 deputetët e PS-së së qarkut Elbasan kemi ndërmarrë të gjitha procedurat parlamentare që i takojnë deputetëve për të kërkuar informacion dhe unë kam shumë besim se kërkesa jonë në ditët në vijim nesër, pasnesër do të merret në shqyrtim së bashku me sensibilitetin dhe të jeni të sigurtë që kryeministri Rama dhe ministrja Balluku do të marrë të gjitha vendimet për të pezulluar dhe bllokuar çdo lloj ndërtimi që prish dëmton një aset të rëndësishëm natyror por dhe atraksion turistik për një bashki si ajo e Gramshit”, tha Balla
Pak ditë më parë banorët e Gramshit dhe deputetët e Partisë Demokratike, denoncuan ndërtimin e HEC-it në kanionin e Holtës. Ishte deputeti demokrat Luçiano Boçi që akuzoi ish-ministrin e Energjetikës Damian Gjiknuri se me firmën e hedhur për këtë HEC po zhduk bukuritë e rralla të natyrës në kanionet e Holtës dhe kërkoi ndalimin e punimeve.
Ambientalistët kanë publikuar dhe foto duke u shprehur se tashmë është ndaluar dhe kalimi I turistëve në të. Në reagim, mbrojtësit e ambientit shprehen se rrezikohet të cënohet monumenti I kulturës.
a.cupaj