Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, homologet i tij kroat dhe malazez kanë zhvilluar këtë të martë një takim në Zagreb, ku qëllimi kryesor ishte vendosja e një bashkëpunimi më të ngushtë në drejtimin e parandalimit dhe menaxhimit të migracionit të paligjshëm.
Tre ministrat e Brendshëm u dakordësuan për ndërmarrjen e hapave konkretë në drejtim të bashkëpunimit ndërkufitar mes vendeve, shkëmbimit periodik të informacionit, të praktikave më të mira në kontrollin kufitar, si dhe në qasjen e përbashkët në instrumentet financuese të BE-së, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të Policisë Kufitare.
Ministri Sandër Lleshaj e vuri konkretisht theksin tek qasja e dyanshme në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar që ndërvepron me migracionin, duke theksuar luftën ndaj grupeve kriminale që merren me trafikimin e migrantëve të paligjshëm.
Në këtë takim u ra gjithashtu dakord për bashkëpunim të shtuar në shkëmbimin e informacionit dhe të përvojave, si dhe për hapa të përbashkët në forcimin e kapaciteteve në bashkëpunim me agjencitë përgjegjëse të Bashkimit Evropian, si FRONTEX etj. Tre ministrat e Brendshëm u takuan Zagreb me ftesë të ministrit të brendshëm kroat, Davor Bozinovic.
/a.meta