Prej orës 10:00 ka nisur mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në rendin e ditës janë disa çështje, mes tyre plotësimi i vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit. Deri tani për t’u bërë pjesë e SPAK-ut kanë aplikuar vetëm dy prokurorë, Klodian Braho dhe Besnik Muçi. Kryetari KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se në procedurën e aplikimit janë bërë disa lehtësi për prokurorët, ndërsa përsëriti thirrjen që të bëhen pjesë e këtij institucioni që do të luftojë korrupsionin dhe krimin.
“U çelën procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakante për SPAK, deri tani kemi dy kandidime. Këshilli vendosi që të bënte një lehtësim të dokumentacionit, përmes një emaili që u është dërguar të gjithë prokurorëve. U lehtësua ndjeshëm lista e dokumenteve. Shpresojmë që ky lehtësim të jetë inkurajues, u bëj thirrje të gjithë prokurorëve që mos e humbni këtë mundësi që u vjen njëherë në jetë” tha Gent Ibrahimi.
Gjithashtu Ibrahimi theksoi se “kemi marrë informacione nga disa institucione për 6 kandidatët magjistra që do të emërohen prokurorë. Vlerësimin e prokurorëve për efekt vettingu tashmë nuk do ta bëjë më prokuroria e përgjithshme por tashme do ta bëjë KLP”. Ndërkohë që po vijon diskutimi për strukturën dhe buxhetin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtari Bujar Sheshi propozoi shtimin e një pike tjetër në rendin e ditës, caktimin e një prokurori tek Apeli tek Krimet e Renda./a.meta