26 njerëzit më të pasur të botës zotërojnë së bashku asete sa 50% të të varfërve të globit. Në verifikimin e përvitshëm mbi pasurinë, organizata e bamiresise Oxfam thotë se viti 2018 ishte viti kur të pasurit u bënë më të pasur dhe të varfrit, më të varfër.
Në përllogaritjet e saj, pasuria e 26 miliarderëve më të mëdhenj është sa ajo e 3,8 miliardë personave që përbëjnë gjysmën më të varfër të popullsisë së planetit. Hendeku mes tyre është thelluar akoma më shumë, duke penguar kështu ndjeshëm luftën kundër varfërisë.
Shoqata pretendon se po të shtohet një taksë prej vetëm 1% mbi pasurinë, do të grumbulloheshin 418 miliardë dollarë në vit, mjaftueshëm sa për të arsimuar çdo fëmijë që nuk shkon në shkollë e për të siguruar një kujdes të tillë shëndetësor që do të mundësonte parandalimin e 3 milionë vdekjeve.
Oxfam-i del në përfundimin se mbi 2200 miliarderë në mbarë globin e kanë shtuar pasurinë e tyre me 900 miliardë dollarë në vitin 2018, apo 2.5 miliardë dollarë në ditë. Rritja prej 12% në pasurinë e shumë të kamurve pati kontrast me rënien prej 11% të pasurisë së më të varfërve të globit. Sipas raportit, që 10 vitet që pasuan krizën financiare globale, numri i miliarderëve thuajse është dyfishuar./a.meta