Sot mbushen tetë vite nga 21 Janari i vitit 2011, kur Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë. Nga protesta mbetën të vrarë; Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.
Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar dosja u rikthye sërish në gjykatë. Garda e Republikës rikthen procesin e 21 Janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar ish-kreut të saj Ndrea Prendit dhe gardistit Agum Llupo të kthejnë në arkën e gardës faturën prej 2.1 milion euro që garda ka paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të vrarë me duar në xhepa në protestën e 21 Janarit 2011 janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’. Ndërkohë që familjarët vijojnë që të kërkojnë drejtësi, apel të cilin ata e përsërisin cdo vit duke pasur shpresë se drejtësia e re do bëjë drejtësi për katër të vrarët.
Organet e reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelet e lartat, të cilat po ngrihen janë shpresa e fundit e familjarëve për të hetuar në mënyrë shteruese dhe të paanshme ngjarjet e 21 Janarit, duke vënë protagonistët para përgjegjësisë. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë Speciale dhe Gjykatat e Posaçme. Kushtetuta e re dhe ligji për SPAK ka hequr kufizimet kohore për Byronë e Hetimit dhe Prokurorinë Speciale, për hetimin e çështjeve të ndryshme, sidomos kur të implikuar janë funksionarë dhe ish-funksionar të lartë. Vitin që lamë pas Komisionet e Vettingut shkarkuan disa nga gjyqtarët dhe prokurorët e dosjes së 21 janarit.
/a.meta