Hekuran Hoxha, 48 vjeç, i vënë në pranga nga policia mbrëmjen e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, njihet si koka i bandës së Shijakut të vënë nën hetim për trafik ndërkombëtar droge. Nga operacioni i koduar “Vol-vo 4” në tetor 2018, ranë në pranga mbi 20 persona anëtarë të këtij grupi. Nga fotot e siguruara nga Shqiptarja.com, “Roni i Shijakut” siç njihet ndryshe, duket i dhënë pas udhëtimeve në vende ekzotike dhe makinave të shtrenjta. Ai është njëkohësisht edhe pronar i disa bizneseve në zonën e Shijakut. Madje dy prej biznesve, një pikë karburanti si dhe një bar-kafe i ka “pagëzuar” me nofkën e tij, “Roni”.
Edhe pse prej kohësh ka qenë një person në vëzhgim nga policia, nisur edhe nga precedentët e kaluar pasi është arrestuar të paktën tre herë për trafik heroine në Turqi dhe Itali (Lexo këtu), Hekuran Hoxha nuk është ndaluar aspak aspak kjo gjë, duke promovuar në rrjetet sociale jetën e luksit nëpër pishina, rezidenca luksoze dhe vende të super të shtrenjta ku ka kaluar pushimet edhe familjarisht.
“Roni i Shijakut”, dyshohet se porositi heroinën që prodhohej në laboratorin e Hasit, ku u gjetën 250 kilogramë heroinë bashkë me përzierësit, ku u arrestuan 5 persona. Sipas prokurorisë Saimir Gjepali, (i shpallur në kërkim), dhe Hekuran Hoxha, janë dy kontaktet e biznesmenit Admir Hoxha, ende në kërkim, që akuzohet si njeriu që financoi ngritjen e laboratorit të drogave të forta.
Hekuran Hoxha akuzohet për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhim dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Ai është arrestuar edhe në vitin 2009, bashkë me 4 persona të tjerë, ku 5 të arrestuarit u etiketuan si “5 bosët e Shijakut”, pasi kishin mundur të trafikonin rreth 488 kg heroine nga Shqipëria drejt Italisë. Bashkë me Hekuran Hoxhën, në 2009 u arrestuan edhe Alket Hatija i njohur si “Zoti i drogës”, si edhe Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu dhe Saimir Gjepali, që të gjithë nga Shijaku. Gjithashut, ai është arrestuar edhe në vitin 2011 si pjesë e një grupi që trafikonte heroinë nga Turqia drejt Europës. /raport.tv
/a.meta