Në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë nuk po zhvillohet mësim, pasi rreth 30 persona kanë bllokuar hyrjen e fakultetit. Në oborr u grumbulluan edhe të premten dhjetëra studentët që donin të zhvillonin mësim.
Një studente tha se sekretaria e fakultetit është hapur dhe studentët po marrin shërbim. “Nga sot morëm vesh që sekretaria është hapur, dhe studentët kanë mundësi të përfitojnë nga ulja e tarifave. Pra le të themi që gjërat po i rikthehen normalitetit. Shumica e nxënësve do të vazhdoje mësimin. Nuk na duket me e logjikshme që mësimi të bojkotohet, thjesht mbetet që studentët të cilët kanë bllokuar hyrjen e fakultetit të heqin dorë dhe ne tu rikthehemi auditorëve”.
Një studente tjetër e Fakultetit të Drejtësisë tha se ka qene pjesë e protestës. “Ne kemi qenë pro protestës, por nuk jemi dakord që mësimi të mos vazhdojë. Ne kemi provuar të komunikojmë edhe me personat që po protestojnë, por kemi pasur reagime të ashpra nga ata. Nga ana tjetër janë të shumtë studentët që duan mësim. Pavarësisht se disa prej tyre duke pare dyert e shkollës të mbyllura largohen. Sigurisht ata që janë në proteste janë të lirë ta vazhdojnë atë, por duhet të lirojnë ambiente në mënyrë që të tjerët të mund të zhvillojnë mësim”.
Një student i Fakultetit të Drejtësisë tha se kauza është e drejtë, por kjo nuk është mënyra e duhur e protestës, pasi ne po humbasim orët e mësimit, nuk mund të mbahet peng shkolla nga vetëm 30 vetë. Sepse janë rreth 2700 studentë ose më shumë që duan ti rikthehen mësimit. Pra me duket absurde që ata ta vazhdojnë bojkotin. Unë nuk është se i kam parë të gjithë ata që janë brenda, por mund të them se një pjesë e tyre nuk i kam parë asnjëherë në shkollë, dhe nuk janë studentë të këtij Fakulteti”.
Ndërsa te Fakulteti i Ekonomisë në disa klasa u zhvillua mësim dhe studentët morën pranë sekretarive informacion për të përfituar nga ulja e tarifave. Një student i Fakultetit të Ekonomisë tha se ka ardhur për të bërë mësim. “Kam ardhur për të bërë mësim por nuk e di nëse do të zhvillohet mësim apo jo”.
Ndërkohë dy studente ekselence të Fakultetit të Ekonomisë po aplikonin për të përfituar nga heqja e tarifave për këtë fashë.
“Unë jam në vitin e tretë dhe studioj për financë. Jam me mesatare 9.5 dhe jam përfituese e bursës së plotë. Kam marrë të gjitha dokumentet që më duhen dhe tani do ti dorëzoj”. Edhe unë për të njëjtën arsye jam këtu, pasi jam studente ekselence dhe po marr dokumentet për të përfituar nga heqja e tarifave për studentët e ekselencës”./lexo.al