Më 20 tetor në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Administrata frikshëm precize e këtij vendi është e përgatitur.
Në internet janë listuar të gjithë hapat organizativë deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Shumica e zgjedhësve do të votojnë përmes postës.
Çdo anëtar me të drejtë vote në një amvisëri do të marrë në fund të shtatorit apo fillim të tetorit materialin zgjedhor.
Nga fundi i shtatorit mund të votojnë zviceranët me banim në botën e jashtme.
Në fund të tetorit rezultati elektoral publikohet në Gazetën Zyrtare në secilin kanton, mandej ka një afat për ankesa, ndonëse gjasat janë të vogla që dikush të ankohet për procesin zgjedhor në Zvicër.
Nuk ekziston një gjyshe me emrin Verena Müller, e cila i ka mbushur 165 vjet dhe pritet të marrë pjesë në zgjedhje. Në regjistrin zgjedhor nuk ekziston as një stërgjyshe me emrin Gritli Meier.
Këtu mbase qëndron njëri nga dallimet esenciale mes demokracive perëndimore dhe atyre të dëmtuara.
Në shumë vende të Ballkanit (sidomos në viset shqiptare) të vdekurit janë kapital i rëndësishëm elektoral.
Më parë vdesin kryetarët e partive se sa spastrohet lista zgjedhore.
Në këtë aspekt «jemi një» – me Turqinë. Më 31 mars në këtë vend do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Dhe atje, siç njoftojnë mediat turke, pritet të votojë edhe gjyshja Ajshe, e cila sivjet po e jeton vitin e saj të ‘165. Një grua e pavdekshme gjyshja Ajshe.
Bashkë me 6389 zgjedhës që ngaherë e kanë kaluar ditëlindjen e ‘100, shumica madje janë mbi 120-vjeçar.
Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» njofton se në listat elektorale të Turqisë ditëve të fundit janë zbuluar shumë çudira: zgjedhës të regjistruar në ndërtesa të pabanueshme, të tjerë që «banojnë» në stalla dhe banesa me 208 banorë, me 338, me 627 ose me më shumë se 1000.
Një banesë me 1000 banorë? Asgjë nuk është e pamundshme në Turqi: demokracia e këtij shteti viteve të fundit është deformuar dukshëm nga pushteti autokratik i Rexhep Taip Erdoanit.
Gazeta e majtë «Evrensel» botoi një karikaturë: dy turq bëjnë muhabet, njëri thotë: «Vëlla, ngado që shikon vetëm votues fantazmë». Tjetri: «Ndoshta edhe demokracia jonë është fantazmë».
Çdo zgjedhje në çfarëdo niveli për politikanët është me rëndësi. Për partinë AKP të Erdoanit zgjedhjet komunale janë një test i rëndësishëm.
Gjendja gjithnjë e më e vështirë ekonomike shqetëson shumë turq. Për ta zgjedhjet janë e vetmja mundësi për t’i rënë shpullë Erdoanit.
Por, pasojat nuk mund të jenë të mëdha, sepse padishahu është kujdesuar që në regjistrat elektoralë të jenë edhe gjyshja Ajshe dhe në një adresë të vetme, në një banesë të vetme të «banojnë» 1000 veta.
Për këta njerëz do të jetë një ndjenjë çlirimi kur të braktisin këtë ngushticë dhe të votojnë për lartmadhërinë e tij.(D.P)
a.cupaj