Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi e ka cilësuar një sfidë të bukur dhe domethënëse këtë detyrë, ndërsa ka marrë sot drejtimin e ministrisë nga Niko Peleshi.
“Nis për mua një sfidë e bukur dhe domethënëse në krye të një sektori të rëndësishëm për ekonominë tonë”, tha Çuçi, ndërsa falënderoi Kryeministrin për besimin si dhe kolegun Niko Peleshi për gjithë angazhimin dhe punën fantastike që ka bërë në krye të kësaj ministrie.
“Do të vijoj të çoj përpara investimet, projektet dhe nismat e tjera që lehtësojnë punën e fermerëve, blegtorëve dhe gjithë industrisë agro-përpunuese të vendit. Bujqësia dhe zhvillimi rural ka qenë dhe mbetet prioritet i skuadrës sonë qeverisëse. Unë do të bëj çdo përpjekje që njerëzit të cilët kanë lidhur jetën me fshatin apo duan të investojnë në zonat rurale, t’i kenë të gjitha kushtet dhe mundësitë. Inkurajoj fort gjithë ekipin e kësaj ministrie dhe institucioneve të varësisë të vazhdojnë t’i përkushtohen detyrave të tyre funksionale. Ky është një rrugëtim i përbashkët. Ne i kemi të gjitha mundësitë të shkruajmë një histori suksesi”, theksoi Çuçi./a.meta