Arben Ahmetaj i ka kaluar publikisht detyrën Ministres së re të Financave dhe Ekonomisë Anila Denajt. Gjatë prezantimit në Ministrinë e Financave, Ahmetaj i tha Ministres së re se ai personalisht do të jetë dhjetëfish më shumë mbështetës i punës së Ministres së Financave, tanimë si deputet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, do përpiqem të jem 10 fish më mbështetës se sa ka parë kjo ministri më përpara. Në tre vite me sfida të vështira ia kemi dalë, për qytetarët dhe për vëndin, ashtu do vazhdoni me më shumë intensitet me Ministren e re. Anila Denës i uroj një kohë sa më të bukur profesionalisht në favor të qytetarëve dhe të vendit”, tha Ahmetaj.
Nga ana e saj, Ministrja Denaj falenderoi Ahmetaj për ekipin e profesionistëve që ka ngritur në Ministri duke theksuar se puna në skuadër do të jetë parimi që do e udhëheqë në detyrën e saj.
“Jam e nderuar që më jepet kjo mundësi për të drejtuar këtë dikaster me shumë përgjegjësi. Në këtë sfidë mendoj se kam rreth meje një ekip të jazshtëzakonshëm një pjesë të të cilit unë e njoh. Kjo skuadër e bën këtë barrë edhe më të lehtë për mua. Është imperative që A-ja e punës sime do jetë puna në skuadër. Sfidat e institucionit njihen, por do të merren gjithnjë parasysh nga unë sa herë të jetë e nevojshme për të ruajtur ekuilibrat financiarë që me vështirësi janë arritur” deklaroi Ministrja e re./a.meta