Mes Presidencës dhe qeverisë në javën e fundit ka pasur një përplasje të fortë institucionale, pas refuzimit që Meta i bëri emrit të propozuar nga Rama për Ministër të Jashtëm. Në lidhje me këtë situatë të krijuar mes institucioneve, kreu i shtetit në një intervistë në media u shpreh se ‘Arroganca për fat të keq e Kryeministrit është shkaku i kësaj situate të gjithanshme konfliktuale në vend dhe për këtë na mjafton rasti i marrëdhënieve të institucionet të Presidentit me Kryeministrin për të kuptuar më thjeshtë se çfarë ndodh midis Kryeministrit dhe të gjithë institucioneve të tjera apo Kryeministrit dhe opozitës’.
Ndërkohë që kryeministri Rama sot gjatë një aktiviteti për bashkëqeverisjen me qytetarët, u dha një përgjigje të gjithë ata që e cilësojnë si arrogant duke i dërguar kështu një mesazh të tërthortë edhe Presidentit. “Se ma kanë gjetur këtë tani, se përgjigjesh në mënyrë arrogante, por të gjithëve atyre që thonë këtë u them se nuk ka problem, pasi do të shohin sesa kryeministra më pas nuk do u përgjigjen fare. Përgjigjet unë i jap sikur i kam, se nuk kam as mundësi ti zbukuroj, se me qindra mesazhe që vijnë cdo ditë duan përgjigje, por kur them drejtohuni te Shqipëriaqëduam për të gjetur zgjidhje” përfundoi ai. Përplasjes mes institucioneve, Rama i dha zgjidhje duke vendosur që të marrë vetë postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme./a.meta