Klement Balili ishte zyrtar i administratës shtetërore kur emri i tij u lakua si një nga financuesit e një linjë të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Gerqisë dhe nga aty drejt Europës qendrore. Ndonëse pretendohej se emri i tij ishte në listën e të kërkuarve nga drejtësia grekë, bazuar në një hetim antidrogë ku ishte përfshirë dhe DEA amerikane. Në Maj 2016 në një dalje, Balili mohoi çdo akuzë duke i cilësuar si politike, duke thënë se kishte një dëshmi penaliteti të pastër, por më pas nisi arratinë që zgjati deri mëngjesin e 15 Janarit 2019.
Në shkurt të vitit 2016, pala greke mundi të identifikojë dy numra telefoni që zotëroheshin nga Klement Balili, një grek dhe një shqiptar.
Në këto biseda, Balilit i referoheshin si Keli, kohë kur në Shqipëri ai ishte drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tansportit Rrugor, Sarandë. Sipas hetimeve greke, droga transportohej në rrugë tokësore përmes kamionëve ose detare me skaf.
Për palën greke, Balili ishte përgjuar nga një telefonatë me biznesmen grek. Në fund të Prillit 2016 një sasi prej gati 700 kilogramë hashash u nisën nga brigjet e Sarandës drejt një ishulli grek. Nga hetimet ka rezultuar se Balili orientonte dy skafistët, si edhe mbante kontakte me pritësin. Lakimi i tij nga politika dhe mediat greke si “Eskobar i Ballkanit” vuri emrin e tij në qendër të vëmendjes. Në 11 Maj të vitit 2016 Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi zytarisht palës greke t’i vendosë në dispozicion dosjen penale të Klement Balilit.
Një javë më vonë, autoritetet shqiptarë u vunë në dijeni në rrugë zyrtare për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Athina. Në fund të Nëntorit një material prej 1700 faqesh të dosjes greke mbërriti në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas përkthimit në mesin e Dhjetorit u vendos në dispozicion të prokurorëve të Krimeve të Rënda. Pas sigurimit të saj, këta të fundit kërkuan një masë sigurie “arrest në burg” për akuzat e “trafikut të drogës”, “grupit të stukturuar kriminal”, “fshehje pasurie” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Paralelisht me hetimin penal, Krimet e Rënda bënë edhe hetim pasuror ndaj Balilit, duke vendosur në sekuestro një sërë pasurish të tij, mes të tjerave edhe kompleksit “Santa Quaranta” në Sarandë. Ndërsa prokurori i Krimeve, Ened Nakuci, vijoi hetimet Policia e Shtetit dështoi të paktën 14 herë në operacionet për arrestimin e tij. Në fund të Dhjetorit 2018, Greqia i ka vendosur në dispozicion Prokurorisë për Krimet e Rënda materiale shtesë nga dosja hetimore greke për Balilin. Sipas burimeve, në këto materiale të reja janë disa akte kqyrjesh të skafit me të cilin është bërë transporti i drogës, si edhe deklarimet e dhëna nga dy shtetas të arrestuar nga pala greke.
Brenda muajit Janar pritet që prokurorët t’i vënë kapak hetimit ndaj Balilit dhe ta dorëzojnë atë tek gjyqtari paraprak, që do t’i bëjë skanimin e fundit para se dosja të kalojë për gjykim dhe Klement Balili do të përballet me gjykatën si i pandehur.
/a.rada