Vendimi i Kryeministrit Rama për të mbuluar përkohësisht edhe kabinetin e Ministrit të Jashtëm, në mungesë të dekretimit të kandidaturës së Gent Cakës, nuk është një risi në politikën botërore.
Janë një numër shtetesh, në të cilat Kryeministri i zgjedhur ka drejtuar për periudha të caktuara edhe kabinetin e punëve të jashtëm njëkohësisht.
Ditën e djeshme, në mediat shqiptare është bërë i njohur precedent i Greqisë, ku Kryeministri Tsipras ka marrë përsipër edhe funksionet e ministrit të Jashtëm, por lista është shumë më e gjatë.
Në Izrael, një kombinim i tillë ka ndodhur disa herë në histori. Yitshak Shamir, ish-Kryeministri i vendit në periudhën 1983-84 dhe 1986-92 ka mbajtur pozicionin e Ministrit të Jashtëm për gjashtë vjet, në periudhën 1980-86.
Shimon Peres, një prej figurave më influente të Izraelit që prej themelimit të shtetit hebre ka shërbyer në të dy pozicionet në vitin 1995.
Të paktën dy Kryeministra të tjerë izraelitë kanë shërbyer për një kohë të gjatë në pozicionin e Ministrit të Jashtëm, por në periudha të ndryshme, si Benjamin Netanjiahu dhe Golda Majer.
Aktualisht, në Holandë, Kryeministri Mark Rutte mbulon njëkohësisht edhe një post ministror. Përveçse kreu i ekzekutivit, Rutte është edhe Ministër i Punëve të Përgjithshme, një dikaster që mbulon në një masë të madhe edhe çështjet e jashtme.
Rastet kur Kryeministri mbulon dikastere të tjera të rëndësishme, si Mbrojtja, Punët e Brendshme apo Ekonomia janë edhe më të shumta në numër.
Një shembull, në Katar, Kryeministri është edhe Ministër i Brendshëm. Jo më larg se Italia, Salvini shërben si Ministër I Brendshëm dhe formalisht zv/kryeministër, edhe pse “de facto” ai konsiderohet si Kryeministri real, në një binom me Di Maion.
Numri i vendeve ku Kryeministri, ndonëse jo “de facto” shërben edhe si Ministër i Jashtëm është shumë më i madh në numër.
Rasti klasik i njohur në literatura është ai i Charles des Gaulles, Presidentit të Francës që përqendroi në duar të gjitha funksionet e politikës së jashtme në 10-vjeçarin 1959-69.
Në momentin që ai shërbeu si President, për një periudhë të shkurtër ishte gjithashtu Ministër i Punëve Algjeriane, një territor që përpara se të fitonte pavarësinë në vitin 1962, konsiderohej nga Franca në Kushtetutë si pjesë integrale e territorit të vendit, ndryshe nga sa konsideroheshin të gjithë kolonitë apo zotërimet e tjera.
Ndërkohë, janë të shumtë rastet kur zëvendëskryeministrat përqendrojnë në duart edhe funksionin e Ministrit të Jashtëm.
Aktualisht, Didier Reynders, zëvendëskryeministër i Belgjikës është gjithashtu edhe Ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë Belge.
Në Katar, Sheiku Muhammed bin Abdulrahman al-Thani mban njëkohësisht të dy këto pozicione, atë të Ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit.
I njëjti kombinim ndodh aktualisht edhe në Kroaci, Kuvajt, Izrael dhe shumë vende të tjera perëndimore.
/lexo.al/a.r