Edhe pse reforma zgjedhore dështoi të kalonte me konsensus vitin që shkoi, BE dhe OSBE nuk janë dorëzuar.
Për këtë arsye, ambasadorët Luigi Soreca dhe Bern Borchard shkuan këtë të hënë në zyrën e liderit demokrat. Zyra e shtypit e Partisë Demokratike nuk dha detaje mbi takimin 1-orësh, por vetë diplomatët zbuluan bisedën me kreun demokrat.
“Isha së bashku me kolegun tim, ambasadorin Borchard për të diskutuar rreth reformës elektorale, e cila për ne përfaqëson ende një prioritet. Është pjesë e prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të vendimit të qershorit për hapjen e negociatave. Ne do të flasim me të gjitha partitë që kanë një përgjegjësi për të adresuar këtë çështje dhe ne nuk do të ndalojmë së kërkuari të bëjmë punën e tyre në kuptimin e mbajtjes së përgjegjësisë”, tha Soreca.
“Koha po ngushtohet, por ka ende mënyra për të ecur para. Sigurisht”, deklaroi Borchard.
Me zgjedhjet elektorale në prag dhe një reformë zgjedhore të pafinalizuar, ambasadorët kërkojnë që opozita të mos i rikthehet bojkotit, por të miratojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor bashkë me mazhorancën.
“Opozita i përket Parlamentit dhe kjo është një kërkesë konstante që i bëjmë opozitës dhe ne shpresojmë që opozita të jetë në Parlanent, siç ishte në dhjetorin e vitit të kaluar. Objektivi, është të finalizohet puna e bërë me propozimin e përbashkët që mund të bëjë realitet rekomandimet e OSBE-ODIHR-it”, u shpreh Soreca.
Vitin që shkoi, palët dështuan të miratojnë me konsensus reformën zgjedhore. Socialistët paraqitën në Kuvend draftin e njëanshëm, ndërsa opozita e akuzoi se po minon reformën zgjedhore.
a.cupaj