Kur ditën e sotme pritet hapja e ofertave për projektin e Unazës, ku do të caktohet edhe fituesit i tenderit, Partia Demokratike vjen me një tjetër akuzë. Në një dalje publike nga selia blu, Lealba Pelinku, pjesë e Departamentit të Antikorrupsionit PD ka denoncuar paracaktimin sipas PD-së të fituesit të ritenderimit për Unazën e Madhe, Rrok Gjoka. PD thekson se kryeministri Edi Rama është peng i kësaj afere korruptive, ndërsa shton se ai u kap duke vjedhur me kompanitë fantazmë. Mes të tjerash Pelinku në emër të PD thekson se fituesi i tenderit është i paracaktuar.
Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra. Nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e tij për të çuar 18 milionë euro një herë tek kompania fantazëm, e rregjistruar në parajsë fiskale, dhe tani tek kompania, e cila është ndër përfituesit e parë të megaprojektit hajdut “Shqipëria 1 miliardë euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit.
Një nga faktet se tenderi është fasadë dhe fituesi i paracaktuar ka të bëjë me kriteret e qepura për klientin e Ramës në PPP-të në infrasktrukturë. Ato jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por një prej kritereve, i vetmi që ka ndryshuar nga tenderi i parë, është bërë që i preferuari i Edi Ramës të futet në tender, por sërish duke përjashtuar shumë kompani të tjera. Partia Demokratike e ka shprehur qartë qëndrimin e saj: projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anulluar i gjithi. Prokuroria duhet të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që herën e parë tentuan të vjedhin me mashtrim dhe kësaj here po tentojnë të vjedhin sërish me tender të paracaktuar.”, tha Pelinku.
/a.meta