Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka deklaruar se Marrëveshja e Prespës, e arritur me Maqedoninë, është një marrëveshje historike dhe në të njëjtën kohë e dobishme nga pikëpamje kombëtare dhe patriotike, si dhe është shprehur se “unë ndjehem krenar për këtë”, raporton Anadolu Agency.
Në një fjalim në një panel të zhvilluar në lidhje me Marrëveshjen e Prespës në Athinë, Tsipras tha se duke marrë përgjegjësi historike dhe koston politike, qeveria në këtë çështje ka bërë zgjedhjen e saj në drejtim të interesave kombëtare të Greqisë dhe stabiltietit të rajonit. Ai theksoi se këtë qëndrim qeveria do ta vazhdojë deri në fund.
“Në të njëjtën kohë kjo marrëveshje përmban edhe një mesazh të rëndësishëm për ditët tona. Kjo tregon se edhe në kushtet më të vështira mund t’i mbyllim plagët e vjetra duke i kthyer shpinën prirjeve nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë, pavarësisht se sa të fuqishëm janë ato”, deklaroi Tsipras.
Sipas tij, nga një periudhë me konflikte për një kohë të gjatë midis Greqisë dhe Maqedonisë, me marrëveshjen kanë kaluar në një periudhë të bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët në shumë fusha.
Ndër të tjera, Tsipras tha se disa segmente në vend e kundërshtojnë marrëveshjen me Maqedoninë duke shpërndarë lajme të rreme, ndërsa shtoi se SYRIZA është në shënjestër me dirigjimin nga grupet e djathta ekstreme dhe ato fetare.
Pasi ka bërë të ditur se shënjestra e këtyre segmenteve në të vërtetë nuk është qeveria, por demokracia, Tsipras tha se, “Këto nuk mund të na frikësojnë neve. Deputetët në parlament do të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre në drejtim të interesave kombëtare”.
Duke e cilësuar marrëveshjen e arritur me vendin fqinj një marrëveshje “historike dhe në të njëjtën kohë të dobishme nga pikëpamja kombëtare dhe patriotike”, Tsipras theksoi, “Sepse patriotizmi i vërtetë nuk është urrejtja e atdheut dhe të atyre që ndodhen pranë. Patriotizëm i vërtetë është të luftosh për të ngritur atdheun në fushën e paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit ekonomik”.
Në fjalimin e tij, Tsipras i është referuar edhe rritjes së ekstremit të djathtë në Evropë, duke theksuar se tashmë ekstremi i djathtë në Evropë është bërë një fenomen dhe në shumë vende ka përfituar nga pabarazia dhe politikat e gabuara të aplikuara në emër të integrimit evropian
“Në Evropë e djathta ekstreme në ditët e sotme nuk është më një skenar i rrezikshëm që nuk vërehet, ajo është bërë një realitet i tmerrshëm që kërcënon idealin evropian. Ekstremi i ri i djathtë evropian me praktika raciste dhe të dhunshme synon njerëzit e dobët, ata që largohen nga lufta, të huajt dhe gjithashtu duke përhapur lajme të rreme përhap urrejtje dhe frikë”, deklaroi Tsipras.
Me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve apo 81 vota, të premten Kuvendi i Maqedonisë miratoi katër amandamentet me të cilat do të ndryshohet emri kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi që Marrëveshja e Prespës të ratifikohet edhe nga pala greke.
Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni janë pjesë të Marrëveshjes së Prepsës, të nënshkruar në qershor të vitit 2018 midis qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i të cilave është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE./a.meta