Qendrat studentore kanë pak kohë që kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës, por puna për rikonstruksionin e tyre po vijon me ritme të shpejta. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në godinat e konviktit të Universitetit të Mjekësisë dhe më pas zhvilloi një bashkëbisedim me studentët që jetojnë aty. Puna ka nisur fillimisht me sallat e leximit dhe bibliotekat, për t’i lënë radhën më pas, gjatë verës, kur studentët marrin pushimet vjetore, rikonstruksionit total të tyre.
“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si vlon puna edhe në fundjavë, fill mbas festave dhe motit të keq, për të transformuar qendrat tona studentore. Qendrat studentore sapo i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës, prandaj si çdo gjë që Bashkia e Tiranës prek me dorë, sigurisht që edhe ato do të shkëlqejnë. Ka filluar rikonstruksioni i konvikteve te Inxhinieria, që sot janë dita me natën”, tha Veliaj.
Aktualisht, tek rezidencat e Mjekësisë janë larguar zaptuesit e mjediseve që i kishin kthyer ato në kafe dhe pika bastesh, ndërkohë që po punohet për rehabilitimin e tyre, me qëllimin ofrimin e kushteve sa më të mira për studentët e ardhur nga rrethet në Tiranë. “Së pari, kemi nxjerrë jashtë rezidencës të gjithë zaptuesit politikanë, të cilët këtej frymëzojnë protestat, ose mundohen t’i përdorin dhe keqpërdorin ato, dhe këtej gëzojnë të mirat materiale të mjeljes së studentëve. Kështu që, siç e shikoni, kanë dalë jashtë, dhe për të mbajtur edhe atë premtim që i dhashë Këshillit Bashkiak, që nuk pres leksione nga dikush që vetë zapton dhe na flet pastaj për liri studentore. Prandaj, jashtë politikanët, brenda studentët. Ambienti do t’i kthehet studentëve, përfshi edhe kafen dhe gjithë hapësirat e nevojshme për argëtim”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje studentëve që të rikthehen në auditoret e mësimit për mbylljen në kohë të këtij viti akademik, çka do t’i jepte mundësinë Bashkisë së Tiranës që gjatë muajve të verës, kur ata janë me pushime, të ndërhyjë edhe për rikonstruksionin e dhomave. “Aktualisht mund të ndërhyjmë vetëm në sipërfaqet e jashtme dhe në sipërfaqet e përbashkëta. Nëse ka ende studentë që për interes dhe për ideal të partisë vazhdojnë dhe protestojnë, do të thotë se shkolla do të shtyhet në gusht-shtator, ndërsa në tetor ata do të duhet të kthehen. Pra, na lë zero hapësirë që të mund të rregullojmë edhe dhomat. Ndaj, u kërkoj studentëve, jo për politikë, por vetëm për interesin e tyre, shkoni në mësim që shkolla të mbarojë kur duhet, në korrik, që ne të kemi mundësi gjatë muajve gusht-shtator të punojmë nëpër dhoma, dhe kur të ktheheni në tetor, t’i gjeni gati”, theksoi Veliaj.
Mandej, ai nënvizoi se godinat e transformuara të Inxhinierisë si dhe ritmet e punës në rezidencat tek Mjekësia janë garancia më e mirë se në tetor gjithçka do të jetë gati për të mikpritur studentët. “Nëse për ideal të partisë do të vazhdojë tollovia e mosvajtjes në mësim, të vetmit që humbasin janë vetë studentët sepse nuk do na lënë hapësirë që t’ju rregullojmë dhomat për t’u kthyer në tetor. Për sa kohë që e kanë provën se po vihet dorë këtu, do të kenë edhe garancinë se gjatë kohës që ata janë me pushime, ne do të futemi në dhomat e tyre. Por, për këtë na duhet bashkëpunim, të largojmë partitë, siç i larguam nga konvikti i Mjekësisë, dhe në momentin që largohen partitë, studentët bëjnë vetëm llogarinë e tyre, shohin interesin e tyre dhe avancojnë karrierën, talentin dhe profesionin e tyre. Kjo na lipset sot”, deklaroi Veliaj.
Interesimit të studentëve për “Kartën e Studentit”, kryebashkiaku iu përgjigj se me ligjin e ri kjo kompetencë u ka kaluar vetë universiteteve. Gjithsesi, Veliaj shprehu gatishmërinë se nëse drejtuesit e këtyre universiteteve heqin dorë nga kjo përgjegjësi që u takon sipas ligjit, Bashkia e Tiranës është e gatshme që ta realizojë. “Kur unë u zgjodha kryetar bashkie, universitetet ishin shtetërore, jo publike, shtetërore. Do të thotë se vareshin nga shteti. Ministria e Arsimit kishte për detyrë të bënte kartën dhe ne kishim një dakordësi për ta realizuar atë meqë bashkia është ofruesja kryesore e shërbimeve. Me ligjin e ri, universitetet u bënë publike dhe të pavarura nga shteti. Pra, caktuan një administrator dhe me ligjin e ri, çdo universitet duhet të prodhojë kartën e tij. Pyetja është: “Karta e Mjekësisë të jep akses edhe tek palestra e Universitetit të Sporteve? Po tek printeri i Arkitekturës? Po tek aksesi i palestrës së Rektoratit?”. Kush e bën këtë? Do të thotë se çdo universitet duhet të bënte kartën e tij. Ne nuk na mungon aftësia për të prodhuar karta, por problemi është: kjo kartë e bashkisë, në cilin universitet vlen? Ajo që unë besoj ishte drama kryesore që doli në pah nga protestat e drejta të studentëve, ishte fakti se shumë prej dekanëve dhe rektorëve, flas në parim për kategorinë e tyre, donin privilegjet, por jo përgjegjësitë”, nënvizoi Veliaj.
Drejtoresha e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 2, Zhanina Dapi përmendi disa nga ndërhyrjet që priten të realizohen në rezidencat e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës. “Po bëjmë rikonstruksionin e plotë të sallës së studimit, po shtojmë kapacitetin me bibliotekë dhe me qendra studimore me kompjutera. Ndërkohë, po bëjmë ndërhyrje tek tualetet, kemi ndërhyrë tek dushet e përbashkëta, të cilat po rikonstruktohen. Gjatë periudhës së verës, sepse për momentin studentët nuk mund të lëvizin sepse janë akomoduar dhe studiojnë, do bëjmë ndërhyrje totale në dhoma, në sistemin hidraulik, elektrik, dhe në pjesën e përbashkët të holleve dhe të ambienteve”, përfundoi ajo./a.meta