Nga Enver Robelli/
Kur «gazetarët» duan të bëhen politikanë (të korruptuar); kur politikanët duan të bëhen «gazetarë», sepse «gazetarët» e korruptuar janë bërë bashkë me politikanë të opozitës (ose pushtetit) dhe shtrembërojnë të vërtetën; kur njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë krimin e korrupsionin, fshehin vrasjet dhe krimet e tjera; kur kasta e korruptuar i urren dhe linçon ata që s’janë pjesë e qymezit të ndyrë politiko-medial; kur vendimmarrja politike zhvendoset në kafehane, banesa, shtëpi private dhe hotele (edhe në botën perëndimore); kur vendimet – qofshin politike apo mbi personelin – merren pa debat të gjerë intern dhe pa shoshitje të përparësive dhe mangësive; kur politika shtetërore shndërrohet në agjendë personale të njerëzve të etur për kënaqje të egos; kur debati për një çështje reduktohet në etiketime të ndyra për prejardhjen familjare të njerëzve; kur çdokush që nuk mendon si ti, është ose spiun ose bir spiuni, mbesë apo stërmbesë spiuni; kur ngatërrohen rolet – gazetar dhe politikan; kur politikani i jep urdhër «gazetarit» për të llomotitur dhe kur «gazetari» llomotitjen e kryen me devotshmëri të zagarit të etur për një litër qumësht; kur mitizimi i njerëzve shndërrohet në sport nacional në stadiumin e mediave sociale; kur përtypja e rrenave dhe dehumanizimi i tjetrit shikohet si kontribut i madh filozofik; kur «gazetarët» shkelin mbi kufoma për t’u bërë milioner si politikanët; kur politikanët për të qëndruar në pushtet, ndajnë një copë edhe për kalemxhinjtë e tyre personalë; kur hafijet e shërbimeve sekrete partiake bëhen sikur janë «gazetarë»; kur ndihmësvrasës e shërbëtorë të UDB-së në vitet ’70 marrin poste të larta shtetërore; kur zhvatësit bëhen zëvendësministra, ministra, këshilltarë dhe ndihmëskëshilltarë; kur fjalia «Mshoj gjanarski jarani jem» është kod i komunikimit për manipulim tenderësh komunalë dhe nacionalë; kur – sipas poezisë së Juan Gelmanit – viçi martohet me kasapin, pëllumbi me skifterin, dyshimi me mirësinë, i plaçkituri me plaçkitësin; kur vlerat përmbysen dhe antivlerat latohen në pazarin e mendimeve vrastare; kur – sipas Georg Büchnerit – «ju mund ta padisni fqinjin tuaj, i cili ua ka vjedhur një patate; por padisni njëherë për vjedhjen e përditshme të pasurisë suaj, e cila kryhet prej shtetit në emër të taksave dhe tatimeve, në mënyrë që një legjion zyrtarësh të kotë të vënë dhjam me djersën tuaj: ankohuni njëherë që i jeni nënshtruar arbitraritetit të disa barkderrave dhe se ky arbitraritet quhet ligj, ankohuni se jeni kuajt e arës së shtetit, ankohuni për të drejtat tuaja të humbura njerëzore: ku janë gjyqet që pranojnë paditë tuaja, ku janë gjykatësit, të cilët ndajnë drejtësi?»; kur ndodhin të gjitha këto, atëherë si shtet (apo shtete) e shoqëri s’të merr më askush seriozisht.
Diplomatët perëndimorë nuk ta thonë këtë në sy dhe direkt, por me vendime e me sjellje të tregojnë ku e ke vendin si shoqëri. Në njërën prej poezive të tij poeti kroat Tin Ujeviq shkruan: «U nisëm rrugës. Rruga qe e gjatë. / Vonë e vërejtëm se ajo rrugë ishte rreth». Gati 30 vjet pas rënies së komunizmit – Shqipëria sillet në rreth. Gati 20 vjet pas çlirimit – Kosova sillet në rreth. Dhe debatet e ditëve të fundit – absurde, cinike, me tifozllëk të verbër e sy të skuqur, me ulërima pro e kundër, me kërcënime të stilit mafioz, me beteja me statuse në Twitter e Facebook mes krerëve të shtetit, politikanëve të tjerë, «gazetarëve» dhe militantëve me thikë në dorë – janë dëshmi e frikshme për gjendjen e shoqërive shqiptare.