Nga Ben Andoni
Nga mënyra sesi kryeministri i vendit, Edi Rama po bën pjesën e kortezisë me Ministrin Ditmir Bushati, kuptohet se nuk ka më kthim pas. Këtij të fundit tashmë do t’i bëhet e qartë ndoshta se duhet të japë dorëheqjen, qoftë dhe të parevokueshme, për të mos e lënë kabinetin e Z.Rama me dy ministra të Jashtëm. Për t’ia bërë më të vështirë punën Edi Ramës po mendon dhe presidenti i vendit, Ilir Meta, që qesëndinë e tij e mbulon me të gjithë frazeologjinë e dokumentacionit, që ka tagri presidencial.
Me çfarë po duket, Ilir Meta jo vetëm nuk e shkarkon Bushatin por as nuk e ka ndërmend të dekretojë Gent Cakën, duke e bërë krizën Kryeministri-Presidencë të mbajë realisht era politikë dhe karshillëk. Këtë e kupton nga reagimi i LSI-së, formacionit politik të origjinës së tij, që i është përveshur Ramës, por edhe justifikimet që ata gjejnë kundër diplomatit të ri Cakaj. Për fat të keq, Rama, tashmë është në një rrethim të vogël dhe krejt i mënjanuar dhe nga njerëzit e tij. Dhe, mllefin e kryeministrit e morën indirekt dhe diplomatët e huaj në takimin vjetër të kortezisë, ku në vend të fjalëve të mirësjelljes, ai e mbushi me fjalë për Metën diskursin e tij të ngatërruar për problemet e brendshme të vendit.
Në të njëjtin aktivitet, këtë dialog të vështirë me presidentin e vendit, publiku e kuptoi dhe nga tonet e larta që kryeministri përdori për Kosovën, duke i marrë krahun dhe qarë hallin në situatën e rëndë ku ndodhet. Veçse kryeministrit Rama i ka mbetur në derë, ideja se është për ndryshimin e kufijve Serbi-Kosovë, kurse nga mënyra e kamufluar sesi është bërë, ajo ka qenë pak e sfumuar, ndërkohë që Meta ka mbrojtur fort parimin e mosndryshimit të kufijve, një qëndrim që e ka mbështetur fort dhe Ministri i Jashtëm, z. Ditmir Bushati. Jo më kot, në një intervistë të ditëve të fundit, ish-kolegu i tij grek Kocias e tha qartë se ministri shqiptar po largohej për hir të kundërshtive ndaj ndarjes së Kosovës, fakt që ndihte staturën e Bushatit.
Duke u kthyer në rastin e ngërçit shqiptar ka një ngjashmëri me episodin grek, por ndërkohë që ikja e Kocias u bë për të mbajtur të bashkuar qeverinë greke dhe interesat e Ministrit të Mbrojtjes Kamnenos për të mos e shkërmoqur atë. Dhe, Cipras bëri atë që ishte më e lehtë por edhe më e arsyeshme: e mori vetë portofolin e Ministrit të Jashtëm, paçka se roli i Kocias është i madh për arritjet e fundit diplomatike të Greqisë. Ndoshta është momenti që Edi Rama të bëjë të njëjtën gjë dhe të na kursejë nga diskursi patetik dhe kundërshtitë me presidentin Ilir Meta, që e bëjnë komunikimin politik të turpshëm dhe me mungesa tipike të parametrave bazë normalë.
Zoti Cipras e gjeti zgjidhjen, paçka se ishte në një qeveri jo krejt të tijën, kurse z.Rama ka gjithçka në dorë dhe mund ta menaxhojë si të duhet këtë situatë, duke e marrë vetë portofolin dhe duke iu kushtuar problematikave reale të vendit. (Javanews)